Dhuna ndaj mjekut, kolegët dalin në protestë
VLORË - Mjekët e spitalit të Vlorës kanë njoftuar se do të zhvillojnë një tubim sensibilizues, përmes të cilit kërkojnë marrjen e masave në mbrojtje të jetës, ndërsa janë në krye të detyrës. Vendimi ka marrë shkas nga ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, kur mbeti i plagosur rëndë neurologu Kosta Koçi, mjeku i njohur i këtij spitali. Dje, ata kanë nënshkruar një peticion, ku shprehin indinjatën e thellë për shkak se sjelljet e pahijshme, deri në raste të tilla kriminale, po shtohen dhe personeli mjekësor i stresuar, ndjehet i pambrojtur dhe jo i qetë për të kryer detyrën e tij humane dhe fisnike për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Në peticion thuhet se kudo në botë personeli shëndetësor respektohet për misionin e tij fisnik dhe human që ka në shoqëri, ndërsa tek ne hera herës qëndron dukshëm dhuna verbale dhe fizike. Personeli mjekësor i spitalit të Vlorës ka njoftuar se do të zhvillojë një tubim për të sensibilizuar opinionin publik për tu bashkuar kundër këtyre akteve aspak qytetare dhe jo ligjore.
Arrestohet trafikanti, kaloi 7 klandestinë drejt Greqisë
GJIROKASTËR - Një trafikant klandestinësh i cili po përfitonte 2100 euro pasi kishte dërguar në Greqi shtatë klandestinë, është identifikuar dhe arrestuar dje pas mesdite, disa orë pas riatdhesimit nga policia greke. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje në Kakavijë, rreth orës 14.40 të ditës së djeshme specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit, bënë arrestimin në flagrancë të 46-vjeçarit Ylli Cjapi, lindur dhe banues ne fshatin Sukë 1, të komunës Strumë, në rrethin e Fierit. Cjapi së bashku me shtatë shtetas të tjerë nga rrethi i Beratit) është kthyer deportiv nga pala greke në vendkalimin kufitar të Kakavijës, rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm. “Nga veprimet e para hetimore të kryera në Kakavijë, rezultoi se Cjapi kishte ndihmuar 7 shtetasit nga Berati për të kaluar kufirin kundrejt fitimit prej 300 Euro për person.
Shpejtësia e mjetit plagosen katër persona
FIER - Katër persona mbetën të plagosur në një aksident që ndodhi në rrugën Cakran-Fier. Hetimet e para tregojnë se ngjarja ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit të mjetit nga ana e drejtuesit. Pjesëtarët e familjes Muçaj, dy fëmijë 7 dhe 6-vjeç, si dhe e ëma e tyre, pasi kishin dalë nga një gëzim familjar janë nisur në drejtim të Fierit me një mjet që kishte si drejtues një kushëririn e tyre. Por, pak kohë pas nisjes mjeti ka dalë nga rrugë, duke u përplasur me pjesën anësore. Makina është përmbysur dhe ka zënë poshtë pjesëtarët e kësaj familje. Dy fëmijët vëllezërit O.M dhe L.M, morën goditje në kokë dhe njëri prej tyre kishte goditje në një pjesë të nofullës, ndërsa e ëma u dëmtua në pjesën e krahëve. Të plagosurit u dërguan në spital dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Arrestohet autori i grabitjes së pikës së karburantit
DURRËS – Pas rreth një muaji hetimesh ka përfunduar në pranga autori i grabitjes me dhunë të një pike karburanti. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Krimeve Ndaj Pronës bënë identifikimin e autorit të dyshuar për vjedhjen me dhunë të ndodhur tek pika e karburantit ”Alpet” në fshatin Koxhas të rrethit bregdetar. Personi i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre është 20-vjeçari Ermal Duro, lindur në Përmet e banues në lagjen Nr. 6 Tiranë, i cili dhe është ndaluar dje në mesditë. I dyshuari, më 7 shtator të këtij viti, ka vjedhur me anë të përdorimit të dhunës punonjësit të karburantit “Alpet” në fshatin Koxhas Durrës, shumën prej 110 mijë lekë. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë kësaj kohe nga shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, ishin kryer një sërë veprimesh hetimore derisa dje u arriti që ngjarja të zbardhej.
2 Tetor 2008