Propozohen masa të reja ndëshkimore për noterët
Laureta Rryçi
Ndryshon funksionimi i noterëve në vend. Ministria e Drejtësisë dorëzoi dje projektligjin mbi noterinë në vend. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan dje për gazetën “Albania” se hartuesit e këtij projektligji kanë menduar të ndryshojnë tërësisht ligjin në fuqi për noterinë duke përcaktuar rregulla të reja jo vetëm për emërimin e tij, por edhe për ndëshkimin, transferimin dhe funksionimin e tyre. Sipas këtij projektligji, autoriteti më i lartë mbikëqyrës i noterisë është ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë kontrollon ushtrimin e veprimtarisë së noterëve, merr masat e nevojshme dhe kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë noteriale në përputhje me ligjin. Dhomat e noterisë janë përgjegjëse për kontrollin dhe sjelljen e noterëve, që ushtrojnë veprimtarinë brenda juridiksionit të tyre. Licencën e noterit do ta marrin të gjithë ata persona që ka jo më pak se 5 vjet përvojë pune si jurist por të mos jetë më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit si dhe në rastet kur nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë, si dhe nuk i është hequr më parë leja e ushtrimit të profesionit të noterit.
Konkurrimi
Konkurrimi do të zhvillohet jo më pak se një herë në gjashtë muaj dhe në mënyrë të pavarur për çdo njësi vendore. Ministri i Drejtësisë mund të urdhërojë zhvillimin e konkurrimit, kur numri i kërkesave të paraqitura nga kandidatët për noter është të paktën sa pesëfishi i numrit minimal të noterëve, të miratuar për atë njësi vendore. Ministri i Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të konkurrimit shpall listën e kandidatëve fitues. Konkurrenti i shpallur fitues do të regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Noterëve. Kandidati duhet të fillojë ushtrimin e veprimtarisë brenda 60 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Noterëve. Pas kalimit të këtij afati, në rast se ai, pa shkaqe të arsyeshme, të cilat nuk i ka deklaruar në Ministrinë e Drejtësisë, nuk e ushtron veprimtarinë e noterit, leja për ushtrimin e profesionit të noterit revokohet. Në Ministrinë e Drejtësisë do të krijohet Regjistri Kombëtar i Noterëve. Përmbajtja dhe procedurat e mbajtjes dhe të administrimit të regjistrit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë. Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, noteri duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si dhe të deklarojë në Ministrinë e Drejtësisë anëtarësinë në njërën nga dhomat e noterisë.
Transferimi
Transferimi i noterit nga një njësi vendore në një tjetër do të bëhet në bazë të kërkesës të noterit që kërkon të transferohet. Kriteret dhe procedurat e transferimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës së noterit, duhet të shprehet për kërkesën e këtij të fundit. Në rast se ministri i Drejtësisë nuk shprehet brenda këtij afati kërkesa e noterit quhet e pranuar. Në urdhrin e ministrit, që miraton transferimin e noterit, përcaktohen mënyrat e dorëzimit të arkivës së noterit, të krijuar në atë njësi vendore. Ministri i Drejtësisë nuk do ta miratojë kërkesën për transferimin e noterit, vetëm kur numri total i noterëve në njësinë vendore, ku ai ushtron veprimtarinë noteriale, bie nën minimumin e numrit të noterëve, të miratuar për atë njësi vendore.
Ndëshkimet
Noterit do t’i hiqet leja e ushtrimit të profesionit kur: kalon në një detyrë tjetër, të papajtueshme me veprimtarinë noteriale;
lë shtetësinë shqiptare; është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale; bëhet i paaftë për të ushtruar veprimtarinë noteriale, për shkak të një sëmundjeje apo të paaftësie së përkohshme për një kohë jo më shumë se një vit; i është dhënë masë disiplinore për shkeljen e dispozitave urdhëruese, që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit; nuk ushtron veprimtarinë noteriale, për një periudhë kohore prej 7 ditë pune rresht, brenda një muaji, pa njoftuar me shkrim Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë; i është dhënë më parë njëra nga masat disiplinore, të parashikuara në shkronjat “b” e “c”, të nenit 7, të ligjit, dhe masa e parë disiplinore nuk është parashkruar. Noteri duhet të bëjë deklarimin në Ministrinë e Drejtësisë. Mosdeklarimi në kohë përbën shkak për heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit. Ministria e Drejtësisë duhet t’u njoftojë mbarimin e detyrës së noterit publikut, të gjitha institucioneve shtetërore dhe konsullatave të huaja në Republikën e Shqipërisë.
Procedimi disiplinor kundër noterit mund të fillohet kryesisht, me propozimin e dhomës së noterisë përkatëse ose në bazë të ankesës së personit të dëmtuar, kur nga inspektimet e kryera nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë është konstatuar shkelje e ligjit ose e Kodit të Etikës, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së noterit.
Shqyrtimi i masave disiplinore
Për shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj noterit, pranë ministrit të Drejtësisë krijohet komisioni disiplinor i noterëve, në përbërje të të cilit janë: tre përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, të caktuar me urdhër të ministrit; dy përfaqësues të zgjedhur nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, me cilësinë e anëtarit.
Në rast se procedimi disiplinor zhvillohet ndaj njërit prej përfaqësuesve të zgjedhur nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, me cilësinë e anëtarit të komisionit, ai zëvendësohet nga një noter tjetër, i zgjedhur nga Dhoma Kombëtare e Noterisë. Komisioni disiplinor i noterëve, brenda dhjetë ditëve pune nga data e konstatimit të shkeljes, fillon procedimin disiplinor dhe njofton noterin, që ka kryer shkeljen për t’u paraqitur në seancën dëgjimore, në ngarkim të tij. Komisioni disiplinor i noterëve, pasi ka përfunduar hetimin administrativ vërteton shkeljen e kryer, i paraqet ministrit të Drejtësisë raportin përfundimtar, së bashku me propozimin për masën disiplinore. Ministri i Drejtësisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së raportit përfundimtar, merr njërën nga masat disiplinore.
Funksioni i noterit mbaron:
Me vdekjen e tij
Kur ka mbushur 65 vjeç
Me heqjen dorë nga funksioni
Kur atij i hiqet leja për ushtrimin e profesionit Të noterit
Masat e reja disiplinore për noterët
Paralajmërim me shkrim, për heqje të lejes
Gjobë deri në 3 milionë lekë
Pezullim të lejes së ushtrimit të profesionit, për një periudhë nga jo më pak se gjashtë muaj deri në dy vjet
Heqje të lejes së ushtrimit të profesionit
Provimi për të marrë licencën
Ministri i Drejtësisë organizon provimin për noterinë. Numri i përgjithshëm i noterëve është i pakufizuar dhe profesionin e noterit ka të drejtë ta ushtrojë çdo shtetas, që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara të këtij ligji. Noteri, përjashtimisht kur i kërkohet për një shërbim specifik, mund të redaktojë dokumente dhe të marrë nënshkrimin e personave të treguar edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duke pasqyruar këtë fakt në përmbajtjen e dokumentit.
Përgjegjësia e noterit
Noteri mban përgjegjësi për gjithçka për të cilën në dokumentin noterial thuhet se është bërë në prani të tij, të ketë ndodhur faktikisht në prani të tij dhe në mënyrën e treguar, si dhe është përgjegjës për çdo parregullsi edhe nëse bëhet nga pakujdesia. Një noter nuk lejohet të përfaqësojë një palë, në një çështje civile, për të cilën i lejohet përfaqësimi në bazë të ligjeve në fuqi, nëse në gjykimin e çështjes do të përdoret si provë një dokument noterial i regjistruar prej tij. Noteri duhet të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e vulës nga dëmtimet, vjedhjet dhe përdorimi nga të tretët. Kur vula humb, vidhet ose kur noteri konstaton se janë lëshuar dokumente me vulën e tij të falsifikuar ai duhet të njoftojë për këtë, menjëherë, dhomën e noterisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe organet e rendit publik.
2 Tetor 2008