PD-PS nisin negociatat për KQZ-në
Adi Shkëmbi
Në limitet kohore të ngritjes së KQZ-së së re, dy partitë e mëdha nisin negociatat për miratimin e emrave në Parlament. Prej disa ditësh, përfaqësues të lartë të PD-së e PS-së, njëkohësisht anëtarë të Komisionit të Ligjeve, kanë nisur bisedimet për shtatë emrat e rinj të cilët do të zëvendësojnë nëntë anëtarët aktualë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor duhet që plotësimi me anëtarë të bëhet 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit elektoral, çka detyron Kuvendin të votojë emrat e rinj brenda fundit të këtij muaji. Burimet bëjnë të ditur se deri të enjten e ardhshme pritet që emrat të votohen në Parlament, ndërkohë që paraprakisht ato duhet të kenë kaluar nga Komisioni i Ligjeve. Mësohet se ekziston një mundësi fare e vogël që ndonjë prej anëtarëve aktualë të jetë sërish në KQZ-në e re, ndërkohë që bëhet e ditur se një prej katër emrave që do të paraqesë PD-ja për postin e kryetarit të jetë pikërisht ajo e kreut aktual, Çlirim Gjata.
Anëtarët e KQZ
Sipas Kodit Zgjedhor duhet që dy partitë e mëdha të propozojnë nga dy anëtarë për KQZ-në dhe më pas partitë e vogla të shumicës dhe opozitës të paraqesin përkatësisht kandidatin e pestë dhe të gjashtë. “Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse”, thuhet në germën ‘ç’, neni 14 i Kodit Zgjedhor. Më pas grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse. Në fund, Kuvendit i paraqitet lista e kandidatëve që ka siguruar mbështetjen më të madhe të deputetëve të shumicës dhe opozitës. Ndërkohë sipas Kodit, 7 ditë pas zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të KQZ-së, Kuvendi voton anëtarin e shtatë i cili është edhe kryetari. Grupi i PD-së duhet të paraqesë në kuvend një listë me katër emra, të cilët pasi t’i kalojnë opozitës për përzgjedhje, kjo e fundit veçon dy emra kandidatësh që kalojnë në seancë plenare për t’u votuar. “Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara, sipas shkronjës “a” të këtij neni. Kandidaturat e përzgjedhura i kalojnë Kuvendit për votim; Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 15 të Kodit Zgjedhor. Ligji elektoral i garanton opozitës që të ketë nënkryetarin e komisionit qendror të zgjedhjeve. Kështu pas zgjedhjes së kryetarit të komisionit, në këtë institucion nis votimin për zgjedhjen e nënkryetarit, ku gara zhvillohet mes dy anëtarëve të KQZ-së, të cilët janë të partisë më të madhe të opozitës.
si zgjidhen anetaret e kqz
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj
procedure:
a) 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të
vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare, që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë;
b) subjektet propozuese, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, në përputhje me kriteret e parashikuara në shkronjën “a” të kësaj pike. Subjektet propozuese të shkronjës “a” përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini;
c) kandidaturat e përzgjedhura sipas shkronjës “b” të kësaj pike i paraqiten Kuvendit për miratim;
ç) anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse.
Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar
numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.
2. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, sipas këtij neni, zhvillohet në një ditë të vetme.