Shkarkimi, Biberaj: Uroj që Berisha të mos e dinte
Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, hedh poshtë akuzat e Kryetares së Kuvendit lidhur me abuzimet financiare për sa i përket disa udhëtimeve jashtë shtetit. “Çështja e biletave është një shpifje e ulët. Unë për çdo takim e kam informuar zonjën Topalli, i kam dërguar kërkesë, por nuk kam marrë përgjigje. Unë kam marrë pjesë në ato takime dhe kam përfaqësuar Shqipërinë, por Parlamenti nuk më ka rimbursuar asnjë nga ato shpenzime, unë i kam përballuar nga shpenzimet e mia. Kjo nuk është fare normale. Unë do kërkoj një komision hetimor për të verifikuar të gjitha shpenzimet si të miat dhe të Jozefina Topallit”, tha dje Biberaj. Në një intervistë në “Ora News”, ai thotë se pas kërkesës për shkarkimin e tij si kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, marrëdhëniet me kryeparlamentaren tashmë janë të krisura. “Pas kësaj që ka ndodhur krijohet një krisje e marrëdhënieve me zonjën Topalli. Kurse me zotin Berisha kemi pasur dhe kemi marrëdhënie të mira. Uroj që zoti Berisha të mos ketë pasur dijeni për këtë lëvizje që është bërë”, shprehet Biberaj. Deputeti demokrat tha se, pasi mori vesh lajmin se një letër ka mbërritur në Strasburg për shkarkimin e tij, është përpjekur të flasë me Kryeministrin, por nuk ka mundur, ndërsa sipas tij Topalli e Patozi nuk i kanë kthyer përgjigje. “Jam përpjekur që të kontaktoj me Kryeministrin Berisha, por nuk kam arritur. I kam dërguar një mesazh zonjës Topalli dhe zotit Patozi për të marrë një konfirmim zyrtar dhe s’kam pasur përgjigje. Më pas jam lidhur me Strasburgun, nga ku jam informuar se para disa ditësh është dërguar një shkresë, e cila kërkon zëvendësimin tim si kryetar, por jo si anëtar dhe si zëvendësues në delegacion”.