E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna e tifozeve ultras pergjaket Roma

Dhuna në futboll godet sërish. Këtë herë protagonistë negativë bëhen tifozët e Lazios. Një grup me rreth 30 ultras kanë sulmuar një disa mbështetës anglezë, të cilët kishin udhëtuar drejt Romës për të ndjekur ndeshjen e Tottenham-it kundër skuadrës bardhkaltër.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të një lokali nate të kryeqytetit italian. Prej përleshjes, dhjetë tifozë britanikë janë plagosur. Dy prej tyre janë goditur me thikë, ndërsa njëri është transportuar në gjendje të rëndë në spital.

Lokali “Drunken Ship”, i cili njihet si një prej pub-eve më të famshëm në Romë është shkatërruar plotësisht. Sipas dëshmimtarëve, tifozët lacialë kanë hyrë në mënyrë të papritur në lokal, të armatosur me thika, shkopa bejzbolli dhe mjete të tjera të forta.

Disa prej tyre mbanin edhe maska në kokë, në mënyrë që të mos njiheshin. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave dhe pas agresionit ndaj tifozëve anglezë, ultras-it janë shpërndarë me shpejtësi në shesh.

Ata janë shpërndarë nëpër rrugica, duke lënë pas thikat dhe shkopinjtë. Situata iu kthye normalitetit vetëm pas ardhjes së forcave të policisë, megjithatë për tifozët anglezë ishte shumë vonë.

Disa prej agresorëve janë ndaluar nga policia ndërkohë që provonin të humbisnin gjurmët, madje njëri prej tyre është mbështetës i Romës. Për të tjerët që ishin përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar, uniformat blu kanë nisur hetimet për identifikimin e tyre dhe do të shfytëzojnë telekamerat e shumta në shesh, që kanë regjistruar të gjithë ngjarjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›