FMN: Kreditë, interesat e larta po bllokojnë ekonominë
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një vëzhgim të bërë në sistemin bankar në rajon, ku përfshihet edhe Shqipëria, ka konkluduar se interesat tepër të larta të kreditimit dhe në përgjithësi kostot e mëdha që bankat paraqesin, po kthehen në një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të vendeve. Shqipëria, sipas artikullit të Natalia Koliadina, anëtare e Departamentit Europian të FMN, është një nga vendet ku kostoja e ndërmjetësimit të sistemit bankar mbetet në nivele tepër të larta. Ndërmjetësimi mbetet një nga funksionet kryesore të bankave, proces në të cilin përfshihet lidhja midis kapitaleve të lëna në depozitë me ato që jepen kredi. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2007 bankat merrnin si interes për ndërmjetësimin 9 për qind për kreditë e dhëna në lek. Pra diferenca midis depozitave në lekë dhe kredive në këtë monedhë, rezulton 9 për qind. Interesi mesatar i një kredi në lekë, ka rezultuar rreth 14 për qind. Sipas këtyre të dhënave të BSH-së, interesi i depozitave në lek është 5 për qind, ndërsa i kredive 14 për qind. Banka që bën ndërmjetësimin merr 9 për qind interes për kredinë, ose thënë ndryshe 2 herë më shumë interes sesa kostoja që mbart depozita. Edhe për monedhën evropiane, që është edhe monedha kryesore në të cilën jepet aktualisht kredia në vend, kostoja e ndërmjetësimit kap nivele tepër të larta nëse e krahasojmë me vendet e zhvilluara. Për një kredi të dhënë në monedhën evropiane, bankat kanë patur një kosto ndërmjetësimi që mesatarisht shkon në 5.25 për qind. Sërish, edhe për këtë monedhë, interesi i marrë në ndërmjetësim mbetet më i lartë se ai që banka paguan për depozitat në Euro.
Bankat në vendet e rajonit duhet që të orientojnë normat e interesit për kreditë, në nivelet që operojnë vendet e Bashkimit Europian. Kjo është kërkesa e FMN për bankat e vendeve të rajonit, që sipas raportit po kalojnë një periudhë të gjatë tranzicioni. Konkurrenca është, sipas ekspertëve të FMN, mundësia më e mirë për të ulur kostot e shërbimeve bankare. Studimet e bëra nga ana e Fondit, tregojnë se ka një sërë dobësish që i bëjnë bankat në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit ineficiente dhe shërbimet e tyre tejet të kushtueshme. Këto probleme të bankave reduktojnë incentivat që bankat të rrisin pjesën e tyre të tregut dhe të shërbimeve dhe njëkohësit, të ofrojnë shërbime me kosto të lirë për klientët e tyre. Por një sërë ekonomish në zhvillim, si Republika Çeke, Estonia dhe Lituania kanë mundur që të ulin ndjeshëm koston e shërbimeve të tyre bankare dhe kanë çuar në nivele të njëjta interesat e kredive me ato që aplikohen sot në vendet e zhvilluara. Por një gjë e tillë nuk është bërë ende në shumë vende të rajonit, si në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci dhe Rumani. Ndërsa bankat në Slloveni kanë mundur që të ulin ndjeshëm koston e ndërmjetësimit, pasi vendi u bë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2004. Një sërë treguesish të marrë në studim për të matur eficiencën e sistemit bankar në Shqipëri kanë treguar një nivel të ulët, krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara.
Me rritjen e kërkesës për kredi, në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008, normat e interesit kanë pësuar një rritje. Sipas të dhënave të BSH-së, interesi mesatar i kredisë në lekë ka rezultuar 14.1 për qind në tremujorin e katërt 2007, nga 13.1 për qind në tremujorin e kaluar. Pesha e kredisë në lekë mbetet ende e ulët dhe interesat për këtë tregues janë të luhatshëm nga një periudhë në tjetrën, në varësi të shpërndarjes së kredidhënies. Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës së sistemit bankar në kredidhënie ka ndikuar në ruajtjen e një niveli mesatar të normës së kredisë, pavarësisht orientimit të politikës monetare. Kjo ka sjellë dhe një ulje të lehtë të diferencës së interesave midis depozitave dhe kredisë në lekë, gjatë këtij viti. Mesatarisht, ky tregues llogaritet në 8.9 për qind, nga 9.4 për qind në vitin e kaluar. Kjo shifër është më e ulët për monedhën evropiane. Normat e interesit për kredinë në euro janë rritur gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në euro në tregun ndërkombëtar, por diferenca e tyre me depozitat në të njëjtën monedhë ka rënë në 5.25 pikë përqindjeje, nga 5.50 pikë përqindjeje gjatë vitit 2006.
Ulja e interesave, strategjitë që duhet të ndiqen
Qeveria mund të lehtësojë uljen e kostos së ndërmjetësimit, me anë të përmirësimit të klimës së biznesit
Përmirësimi i klimës së biznesit me anë të ngritjes dhe forcimit të institucioneve mbetet një nga kushtet kryesore për uljen e riskut të vendit, faktor kyç në uljen e interesav të kredisë. Programi FSSA, i aplikuar nga FMN në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit, ka konstatuar se ka një sërë dobësish institucionale, ku përfshihet mungesa e informacionit të nevojshëm për kreditë, mangësi të shumta në sistemin ligjor dhe në qeverisjen e korporatave, çështje këto që janë me kosto për bankat dhe që rrisin riskun e kredive. Duke rritur riskun e vendit, mungesat e mëdha në këto drejtime bëjnë që edhe shërbimet e ofruara nga bankat, kryesisht kreditë, të jenë shumë të shtrenjta. Një pikë tjetër e rëndësishme që FMN këshillon për t’u ndjekur nga ana e qeverive është nxitja e konkurrencës në sistemin bankar. Futja e bankave të huaja në tregun vendës, por edhe nxitja e një loje të pastër konkurrenciale midis bankave të huaja dhe atyre vendëse do t’i bëjë këto institucione që të aplikojnë bankingun modern. Zhvillimi njëkohësisht i ndërmjetësimit jobankar dhe tregut të kapitaleve mund të jetë një strategji efikase për të rritur konkurrencën në tregun bankar. Ndërsa mbetet një nga pikat më të rëndësishme për uljen e kostos së ndërmjetësimit, dhënia e mundësisë biznesit vendës për të marrë kredi në tregun e huaj financiar. Një strategji e tillë, ka rezultuar shumë efikase në rastin e Sllovenisë, duke çuar në një rritje të ndjeshme të konkurrencës në tregun vendës të kredive dhe uljen e kostos së ndërmjetësimit.
Tregu i kredive
Rritja e interesave të kredive dhe të depozitave ka qenë një nga fenomenet prezent gjatë gjithë vitit 2007 dhe pjesës së parë të 2008. Në këtë ecuri të interesit të kredive dhe të depozitave të lekut dhe ta valutave, ka ndikuar me vendimet e saj edhe Banka e Shqipërisë dhe rritja e interesave për valutat. Kredia më e shtrenjtë në tregun bankar vazhdon të jetë ajo e dhënë në monedhën vendëse, interesi i të cilës është mbi 16%. Duke qenë një nga burimet kryesore të rritjes së kërkesës konsumatore, kredia sipas Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar në rritjen e çmimeve. Në këto kushte BSH ka rritur me tre herë gjatë këtij viti koston e parasë, duke kërkuar në këtë mënyrë që të ulë kërkesën në ekonomi. Sipas BSH-së në mënyrë të vazhdueshme është gjykuar se normat reale të ulëta të interesit, kanë nxitur rritjen e shpejtë të kërkesës për mjete monetare në ekonomi. Paralelisht me ritmet e larta të rritjes së kredisë, vendi regjistroi thellim të deficitit korent që tashmë ka mbërritur në 10%, një nivel ky i rrezikshëm për ekonominë. Ritmet e rritjes së kredive për monedhën evropiane, gjatë pjesës së parë të këtij viti, janë më të pakta se ato të dollarit. Kështu, monedha evropiane vazhdon që të mbetet e preferuar nga ana e klientëve për t'u përdorur gjatë marrjes së një kredie, pavarësisht riskut të kursit të këmbimit, për të gjithë ata që të ardhurat i kanë në lekë apo dollarë. Rritja më e madhe e interesave për kreditë e dhëna në euro është për afatin e maturimit 1-3 vjet, ku interesi ka pasur një rritje prej 1.41% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2007, krahasuar me 3-mujorin e parë të këtij viti. Edhe kreditë në monedhën vendëse të ofruara nga ana e bankave të nivelit të dytë kanë pësuar rritje interesash, gjatë vitit 2007. Sipas BSH-së, rritjen më të madhe e kanë pasur kreditë në lekë, me afat 6 muaj. Rritja është më e madhe, nëse krahasimi bëhet me fundin e vitit 2006. Rritje për lekun kanë pasur edhe kreditë me afat mbi 3 vjet, gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2007, ndërsa, përsa i përket kredive me afat 1-3 vjet, bankat kanë ofruar një normë më të ulët interesi gjatë kësaj periudhe.