Dhuna në Siri, Liga Arabe pezullon misionin
Liga Arabe ka vendosur të pezullojë misionin e saj vëzhgues në Siri. Për pezullimin e këtij misioni, shkak ka qenë dhuna e vazhdueshme në Siri nga forcat ushtarake të regjimit të Bashar al-Asad. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme, mediat shtetërore siriane raportuan se shtatë ushtarë kanë humbur jetën në një pritë pranë Damaskut. Agjencia SANA tha se sulmi është kryer nga një grup terrorist, një frazë kjo që autoritetet e përdorin për të përshkruar kryengritësit. Në anën tjetër, aktivistët thonë se forcat e sigurisë kanë vrarë sot 11 persona, po ashtu pranë Damaskut. Incidentet vijnë një ditë pasi Këshilli i Sigurimit ka diskutuar draft-rezolutën për dhunën në Siri. Siria po përballet me protesta anti-qeveritare që nga marsi i vitit të kaluar. Që nga kjo kohë, sipas Kombeve të Bashkuara, kanë humbur jetën mbi 5.400 persona.