E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në burg, ikin 3 policë

 

Armand Bajrami

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndëshkon punonjësit e policisë së burgut Lezhë, të përfshirë në episodin e dhunshëm të 10 shtatorit në ambientet e këtij institucioni.
Raporti i Avokatit të Popullit mbi dhunën dhe rekomandimi për marrje masash nuk ra në vesh të shurdhër, pasi vetëm një ditë pas publikimit të tij Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vuri pikat mbi “i”, duke “kryqëzuar” përgjegjësit. Referuar burimeve zyrtare u bë e ditur se nga pesë punonjës policie të “shënjestruar” për shkelje të rregullave nga Avokati i Popullit, vetëm për tre prej tyre janë marrë masa. Ndërsa nuk janë kursyer masat as për drejtuesit e burgut të Shën Kollit në Lezhë, të cilët janë paralajmëruar për largim nga detyra, në rast përsëritjeje të ngjarjeve të tilla.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë masën administrative me pushim nga puna për dy punonjës policie të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa për një tjetër punonjës policie është marrë masa administrative e pezullimit për një periudhë kohore prej 3 muajsh”, thuhej dje në një njoftim zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ndërsa për masat ndaj krerëve të burgut të Lezhës thuhej se, “në kuadrin e masave administrative drejtori i IEVP ‘Shën Koll’ dhe shefi i Sigurisë në këtë institucion janë paralajmëruar me masën administrative largim nga detyra, në rast të përsëritjes së ngjarjeve të tilla në të ardhmen”.
DHUNA
Dhuna në burgun e Shën Kollit në Lezhë u denoncua zyrtarisht dy ditë më parë nga Avokati i Popullit. Të lajmëruar për një episod dhune mes të burgosurve, ku ishin përfshirë edhe disa punonjës të Policisë së Burgut, një grup inspektorësh të AP-së “zbarkuan” pak ditë më parë në Lezhë. Gjatë inspektimit ata kanë kontaktuar me të paraburgosurit që ishin përfshirë në konfliktin e dhunshëm, të cilëve iu kanë marrë deklarime dhe u kanë bërë fotografime për shenjat e dhunës që ishin të dukshme në disa prej tyre. Sipas raportit, përpara përgjegjësisë duhet të viheshin pesë prej punonjësve të Policisë së Burgut të Shën Kollit. Dobjani theksonte në raport se punonjësit e policisë me veprimet e tyre kishin shkelur rregulloren e brendshme të Policisë së Burgjeve, ndër të cilat “kapërcim të kompetencave ligjore”, apo “largim nga shërbimi pa u zëvendësuar nga dikush tjetër”. Në 10 shtator disa të paraburgosur u konfrontuan fizikisht, ndërsa u pretendua se u ushtrua dhunë nga punonjësit e policisë të përfshirë në grindje.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›