E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, çahet tubi i ujit të pijshëm, përmbytet rruga tek tuneli

 

VLORE - I gjithë aksi nacional në zonën e Ujit të Ftohtë, pak para se të futesh tek tuneli është përmbytur nga uji. Si pasojë e amortizimit, një tub i ujit të pijshëm që furnizon qytetin është çarë dhe për pak minuta, rruga automobilistike në këtë zonë është mbuluar me rreth gjysmë metri ujë. Për pasojë, kalimi i mjeteve u  realizua me tepër vështirësi, duke sjellë edhe kaos e trafik në rrugë. Mosfunksionimi i kanalizimeve u bë shkak që uji të mbetet në vend. Pjesa anësore e rrugës prej betoni bëri që uji të qëndrojë në vend pa u derdhur as në det. Vetëm pas disa orësh është bërë i mundur riparimi i defektit të tubit të ujit të pijshëm, por gjer në orët e pasdites, për shkak të vendit jo të përshtatshëm për të qarkulluar uji, e gjithë rruga ishte kthyer në një pellg. Pronarët e lokaleve në këtë zonë u ankuan se dje gjatë gjithë ditës nuk kanë pasur asnjë klient, pasi askush nuk mund të qarkullonte më këmbë në këtë aks. Mjetet lëvizën me mjaft vështirësi, pasi në jo pak vende ka puseta të hapura dhe frika se mund të bjerë ndonjë gomë e makinës së tyre në të ka bërë që ata ta kryejnë këtë rrugë në mënyrë mjaft të kujdesshme. Rrjedha e ujit ka sjellë edhe mjaft mbetje inerte e llucë në rrugë, e cila pritet të pastrohet ditën e sotme. Ndërsa për heqjen e ujit u vunë në punë mjetet e zjarrfikëseve.                    q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›