Gerdeci shtyhet per te 14-n here
Procesi gjyqësor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit është shtyrë sërish, duke e mbyllur vitin 2010 me një dështim të radhës. Seanca e djeshme është shtyrë për të 14-n herë në Gjykatën e Tiranës, sërish për shkak të mungesës së avokatëve si dhe të një anëtari të trupit gjykues. Prej disa javësh, këto shtyrje kanë pezulluar njëkohësisht dhe administrimin e provave shkencore. Familjarë të viktimave të shpërthimit janë shprehur të revoltuar për këtë zvarritje. Sipas tyre, kjo është një strategji e mbrojtjes për të shtyrë sa më shumë procesin, duke e degraduar atë. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet në datën 7 janar. Ndërkohë, që nga 11 tetori i këtij viti në Gjykatën e Tiranës nuk është zhvilluar asnjë nga seancat e përcaktuara. Pothuajse në të gjitha rastet shkak janë bërë mungesat e avokatëve, të cilët kanë nisur një strategji të re për të dështuar procesin, duke paraqitur në çdo seancë raporte mjekësore. Burime nga Prokuroria thonë se mund të nisë dhe një hetim për të verifikuar vërtetësinë e raporteve që paraqesin mbrojtësit ligjorë në këtë proces të rëndësishëm.