Prangoset i mituri, dy të tjerë në kërkim për vjedhje
TIRANË – Një i mitur është kapur pasi ka kryer vjedhjen e një banese. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se mbrëmjen e dy ditëve më parë, shtetasi I. N., 14 vjeç, u arrestua nga efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pasi dyshohet se ka vjedhur në bashkëpunim me persona të tjerë banesën e një shtetasi në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë. Nga hetimet e kryera rezultoi se i mitur vjedhjen e ka kryer në bashkëpunim edhe me 17-vjeçarin E. Ç., i cili ishte person i shpallur në kërkim për vrasje e mbetur në tentativë dhe 19-vjeçarin K. M., ku dyshohet se i kanë marrë shumën e parave prej 2 000 eurosh, 2 kasetofona makine, 2 ora floriri, një byzylyk floriri, një unazë floriri dhe një makinë qethëse. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 2 orë floriri, një byzylyk floriri, një unazë floriri, një makinë qethje me ngjyre të zezë, një armë e ftohtë thike, një dorezë metalike, 2 kriko makine, një kaçavidë, një çelës hidraulik, një çekiç gome, një palë dorashka pambuku, sende të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për kryerjen e veprës penale. Aktualisht nga strukturat e hetimit të krimit po punohet intensivisht për kapjen e bashkëpunëtorëve të cilët tashmë janë identifikuar.
Arrestohet i dënuari me burg për mashtrim
TIRANË – Pas gati dy muajsh, një person i kërkuar nga Drejtësia është prangosur në Korçë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2 në Tiranë ndaluan shtetasin Fatmir Kodra, 44 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, i cili është kapur tri ditë më parë nga Komisariati i Korçës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim më datë me 20 tetor 2009. Në fundin e muajit shtator ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, duke u shpallur fajtor për veprën penale të “mashtrimit”.
5 Dhjetor 2009