E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë dhe prokurorë, kontrolle jahteve në Orikum



VLORË – Ende pa hyrë në fuqi ligji “Antimafia” dhe kur ka mbaruar afati ligjor i Moratoriumit të skafeve, grupe prokurorësh dhe oficerësh policie kanë ushtruar kontrolle në portin e jahteve në Orikum. Operacioni është kryer në bashkëpunim me forcat e rendit dhe repartet e ndërhyrjes së shpejtë. Kontrolli vjen menjëherë pas miratimit të ligjit antimafia mbrëmjen e së enjtes nga Parlamenti dhe pikërisht prej kësaj kohe, rreth portit janë vendosur forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Vlorës. Gjatë ditës së djeshme, në mjediset e brendshme të portit të vogël të jahteve kanë marrë pjesë në procedurat e inspektimit dhe kontrollit prokurorë dhe pjesëtarë të grupit Task-Forcë kundër krimit. Në këtë port ndodhen jahte luksoze, disa prej të cilave në pronësi të biznesmenëve të njohur shqiptarë. Burimet zyrtare sqaruan dje se kjo është pjesë e aksioneve për verifikimin e zbatueshmërisë së Muratoriumit antiskaf, i cili e ka mbaruar afatin e tij ligjor, por pavlefshmëria e tij bëhet vetëm përmes votimit në Kuvend.

Grabitja e 20 tonëve krom, edhe një tjetër në pranga

ELBASAN – Edhe një person tjetër ka rënë në pranga për vjedhjen e sasisë prej 20 tonësh krom në Librazhd. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:00, vijoi operacioni “Miniera e kromit”, i cili u mbyll me arrestimin e shtetasit Klesti Malometa, 18 vjeç, lindur e banues në fshatin Katjel të komunës së Rrajcës në Librazhd. “Gjatë një informacioni të marrë në rrugë operative u gjend dhe sekuestrua në territorin e banesës së tij një sasi minerali kromi, rreth 10 tonë, ku gjatë veprimeve të para procedurale, të kryera nga grupi hetimor, u konstatua se ky shtetas këtë sasi kromi e ka vjedhur në stoqet e minierës që ndodhet në fshatin Katjel, të komunës së Rrajcës, e cila është pronë shtetërore”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu. Malometa akuzohet se bashkë me shtetasin Isuf Delba, i prangosur tashmë, kanë vjedhur një sasi minerali kromi prej 20 tonësh para disa ditësh në mjediset minierës së kromit në fshatin Katjel të rrethit të Librazhdit.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›