E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji, rritet 12 lekë çmimi për Tiranën

SHKRUAN: Jonida Tashi 21-12-2011 15:24

Enti Rregullator i Ujit pranon rritjen e çmimit për konsumatorë familjarë në masën 45 lekë për metër kub. Rrëzohet pjesërisht kërkesa e Ujësjellësit për 55 lekë, vendimi përfundimtar për të gjitha kategoritë merret në datën 22 dhjetor

Çmimi i ujit për konsumatorët kryeqytetas do të rritet me 12 lekë për metër kub, dhe jo në nivelin e kërkuar nga Ujësjellësi i Tiranës. Në prag të marrjes së vendimit, për tarifat e reja të ujit të pijshëm në kryeqytet, drejtues të Entit Rregullator të Ujit (ERU) konfirmojnë ndryshimin e tarifës. Kryetari i ERU, Avni Dervishi, pranon rritjen e çmimit, por jo në nivelin e kërkuar nga Ujësjellësi i Tiranës, 55 lekë për metër kub. Sipas Dervishit, Ujësjellësi nuk ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna për të justifikuar rritjen e kërkuar. “Në lidhje me humbjet, nuk është realizuar objektivi për uljen e humbjeve. Në rritjen e numrit të klientëve ka pasur progres, por nuk ka qenë në nivelet e dëshiruara. Ka gjasa të rritet, jo në nivelet e kërkuara, por do të ketë një përmirësim, një rritje të tarifës”, - ka deklaruar Dervishi. Duke qenë se Ujësjellësi nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për shtrenjtimin e ujit, ERU ka vendosur paraprakisht që çmimi për Tiranën të rritet vetëm me 12 lekë për metër kub; thënë ndryshe, 45 lekë për metër kub pritet të paguajë një familje në kryeqytet për konsumin e ujit, nga 33 lekë që është aktualisht. Vendimi dhe tarifa përfundimtare pritet të miratohen në datën 22 dhjetor. Krerët e ERU pranojnë se Ujësjellësi i Tiranës nuk bën pjesë në listën e më të mirëve për shërbimin cilësor. Madje, sipas kryetarit Dervishi, nëse Ujësjellësi nuk plotëson standardet e duhura që të justifikojë rritjen e çmimit, do të ketë penalizime. “Kjo tarifë e re do të jetë parakusht për operatorin. Nëse nuk do të realizohen, jo vetëm që nuk do të ketë rritje tarife për dy vjet, por mund të shkohet edhe në masa të tjera për t’ia ulur tarifën”, - deklaroi më tej kreu i ERU. Kjo është rritja e dytë që i bëhet tarifës së ujit në Tiranë pas asaj të miratuar në vitin 2010. Tarifa e propozuar nga Ujësjellësi i Tiranës, për konsumatorët familjarë 55 lekë për metër kub, është më e lartë edhe se çmimi që aplikohet në Korçë, qyteti që ERU e vlerëson për shërbimin më të mire të ujësjellësit dhe furnizimin pa ndërprerje. Por, ndërsa është zbardhur pjesërisht vendimi për konsumatorët familjarë, për të cilët Ujësjellësi i Tiranës ka bërë edhe propozimin më të ulët për rritjen e çmimit, nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me ndërmarrjet shtetërore dhe private që kanë kontratë me këtë institucion. Sipas propozimeve të bëra nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, rritja e çmimit të ujit do të jetë më e madhe për subjektet që prodhojnë pije alkoolike, freskuese, ujë të ambalazhuar dhe për pishinat, e cila kërkohet të jetë 60 lekë/m3. Për institucionet buxhetore kërkohet që çmimit të rritet nga 110 lekë në 150 lekë/m3, për institucionet private nga 120 lekë në 150 lekë, për prodhimin e pijeve nga 140 në 200 lekë, dhe për shitjen me shumicë të dyfishohet nga 10 lekë në 20 lekë për metër kub. Ashtu si një vit më parë, Ujësjellësi i Tiranës ka përjashtuar nga propozimi për rritjen e çmimit të ujit furrat e bukës, për të cilat tarifa mbetet e pandryshuar, 95 lekë/ m3.

Propozimet e rritjes

200 lekë për metër kub, për subjektet prodhuese të pijeve

150 lekë për metër kub, për institucionet buxhetore dhe private

95 lekë për metër kub, nuk ndryshon çmimi për furrat e bukës

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›