E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, dy gra denoncojnë bashkëshortët e tyre



DURRËS – Rriten rastet e ushtrimit të dhunës në familje në Qarkun e Durrësit. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë mbërritur në komisariatin e policisë dy kallëzime nga femra të cilat denoncojnë bashkëshortët e tyre. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ka nisur “procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve: Mikel Ndoj dhe Përparim Aliaj. Sipas tyre, ndaj 35-vjeçarit Ndoj, me banim në lagjen Nr. 15, në qytetin bregdetar është bërë një kallëzim nga bashkëshortja e tij, shtetasja F.N.. Ajo pretendon se burri i saj ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Me të njëjtën akuzë është përballur edhe 34-vjeçari Aliaj, lindur dhe banues në lagjen Nr. 14. Edhe ndaj tij ka nisur procedimi penal, bazuar në kallëzimin e bërë në polici nga bashkëshortja e tij, shtetasja Xh.A., e cila pretendon se ky shtetas ka ushtruar ndaj saj dhune fizike e psikologjike. Policia ka lëshuar urdhrat për mbrojtje ndaj dy femrave që kanë bërë denoncimin dhe çështjet i kaluan Gjykatës së Durrësit.

Tenton vetëvrasjen 17-vjeçarja, piu ilaç për hardhitë

DURRËS – Një 17-vjeçare, në gjendje të rëndë mendore, ka tentuar ti japë fund jetës, duke pirë një substancë helmuese që përdorej për trajtimin e hardhive të rrushit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se të premten pasdite, rreth orës 17.00, ka shkuar e helmuar në spital shtetasja A.S., lindur dhe banuese në lagjen Nr. 13 në qytetin bregdetar. “Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se kjo shtetase është vetëhelmuar, duke përdorur një sasi substancë helmuese që përdoret për sëmundjet e hardhive”, - thonë burimet policore. 17-vjeçarja, aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, e shtruar në Spitalin Toksikologjik në Tiranë.

Shpejtësia e makinës i merr jetën studentit 21-vjeçar

ELBASAN – Një student që ndodhej si udhëtar në një makinë ka humbur jetën aksidentalisht për shkak të shpejtësisë së madhe të mjetit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka ndodhur një aksidenti automobilistik në aksin rrugor Elbasan – Fabrika e Çimentos, e cila i ka marrë jetën shtetasit Mirian Krraba, lindur dhe banues në fshatin Balëz e Poshtme, në komunës Bradashesh. 21-vjeçari ishte student në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë. Ai ka gjetur vdekjen në spitalin e qytetit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se 21-vjeçari ka qenë pasagjer në një mjet të tipit “Benz” me targa Elbasani, ku drejtuesi i mjetit, si pasojë e shpejtësisë së madhe, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal 20 metra larg rrugës automobilistike. Aktualisht, drejtuesi i mjetit ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik jashtë rrezikut për jetën. Pas kurimit ai do të shoqërohet në polici, pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›