E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset kryebashkiaku, mjeti i tij u përplas me trenin e linjës Shkodër-Tiranë



MAMURRAS- Teksa udhëtonte për në punë me makinë, kryetari i Bashkisë së Mamurrasit Dedë Ndreca është përballur me një rrezik real. Ai po kalonte në një mbikalim hekurudhor, kur është përplasur nga treni i udhëtarëve i linjës Shkodër-Tiranë. Ndreca është plagosur rëndë, duke pësuar dëmtime në krahë dhe këmbë, ndërsa mjeti është dëmtuar tërësisht. Ndërsa shoferi i tij ka marrë plagë më të lehta. Kryetari i Bashkisë së Mamurrasit është dërguar menjëherë në spital, dhe vetëm dje pasdite ai është dërguar në shtëpi, ku po vazhdon trajtimin mjekësor. Vetë Ndreca ka pohuar se ishte ora 6.30 kur sapo kishte dalë nga shtëpia e tij dhe po shkonte drejt zyrës. Ai ka deklaruar se nuk e ka parë trenin duke ardhur, pasi mbikalimi që ndodhet në atë zonë, nuk ka as roje dhe as shenja paralajmëruese. Madje, ai ka sqaruar se ferrat e shumta që kanë mbirë përgjatë linjës hekurudhore bllokojnë pamjen për drejtuesit e mjeteve, të cilët e kanë të pamundur të identifikojnë nga larg lëvizjen e trenave. Disa kohë më parë Drejtoria e Hekurudhave bëri një aksion për heqjen e mbikalimeve hekurudhore në disa zona, përfshirë edhe vendin ku ndodhi aksidenti. Por, tashmë gjithçka është harruar. Kjo është bërë shkas për aksidente të shumta në linjat e hekurta, ku nuk ka në mbikalimet rrugore as roje dhe as shenja të sinjalistikës rrugore.

Rikthehen radhët në doganën greke, situatë e rëndë në Kakavijë dhe Kapshticë

Emigrantët shqiptarë vazhdojnë të përballen me situatën e vështirë dhe tensionin që krijojnë pritjet me orë të tëra dhe radhët e gjata në tokën greke. Gjatë orëve të natës të së premtes duke u gdhirë e shtuna, emigrantët pohojnë se kanë qëndruar për më shumë se 5 orë në radhë në tokën e shtetit fqinj, në pritje për të hyrë në Shqipëri nga pika doganore e Kakavijës. Ata fajësojnë palën greke, e cila, sidomos gjatë natës, punon me ritme shumë të ngadalta. Vargu i gjatë i makinave të emigrantëve shqiptarë në tokën greke është vënë re dhe gjatë të shtunës paradite. Pala shqiptare ka shtuar sportelet për të përballuar fluksin e emigrantëve. Situatë më e qetë është vënë re në pikën kufitare të Kapshticës. Ndonëse ka pasur fluks emigrantësh është vënë re se nuk ka pasur radhë të gjatë as nga toka shqiptare dhe as nga ajo greke. Duke iu referuar shifrave të policisë kufitare gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kanë hyrë në Shqipëri 4000 emigrantë me 2100 mjete, ndërsa kanë dalë 1000 emigrantë.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›