E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërpi “ngre në këmbë” policinë, asgjësohen 31500 rrënjë Cannabis



SHKODËR – Menjëherë pasi ka dalë rezultati që kërpi industrial është lëndë narkotike, Policia e Shtetit ka lëvizur menjëherë nga apatia e saj. Fshatra të tëra të mbjella me Cannabis sattiva në Malësinë e Madhe janë vënë në shënjestër të policisë, ku vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë asgjësuar mbi 31 500 rrënjës. Policia e Qarkut të Shkodrës organizoi aksionin më të madh të saj në luftën kundër bimëve narkotike, ku morën pjesë rreth 200 efektiva blu, si dhe me dhjetëra mjete. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se ditën e premte dhe të shtunë është realizuar operacioni i koduar me emrin “TRAGET 2” në zonat malore të komunës së Gurit të Zi, në të cilën ishin kultivuar me mijëra bimë Cannabis sattiva na banorët vendas. Ky aksion ka përfunduar me ndalimin e dy personave, të cilët po hetohen për “kultivim të lëndëve narkotike”. Pak ditë më parë policia ndaloi kryetarin e Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit, i cili akuzohet se kërpi industrial që ka kultivuar për disa vite me radhë, është lëndë narkotike.
Aksioni “TARGET 2”
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës realizoi gjatë dy ditëve të fundit operacionin më të madh të saj në luftën kundër lëndëve narkotike. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se aksioni i koduar me emrin “TARGET 2”, u zhvilluar në një afat kohor, 2-ditor dhe u shtri në rrethin e Malësisë së Madhe, konkretisht në komunën Guri i Zi. Sipas zëdhënëses së policisë, Fatbardha Çelepia, “në këtë operacion u mobilizuan rreth 200 forca policore, si dhe 23 automjete. Në këto aksione morën pjesë forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut në bashkëpunim me forcat e FNSH-së së Shkodrës dhe FNSH-së së Tiranës. Çelepia pohon se u bë e mundur që të identifikohen dhe të asgjësohen në total, gjithsej 31518 rrënjë bimë e llojit Cannabis sattiva”. “Në rrethin e Malësisë së Madhe, në vendin e quajtur ‘Bjeshkët e Draganit’, në territor të shpyllëzuar, janë identifikuar dhe më pas asgjësuar 3570 rrënjë bimë me karakteristika të ngjashme me Canabis sattiva”, - thonë burimet policore.
Ndërsa në vendin e quajtur “Duçaj”, u bë e mundur zbulimi i 19143 rrënjëve bimë Cannabis sattiva. Në fshatin Bratosh, të komunës së Kastratit, u identifikuan gjithsej 534 rrënjë bimë Cannabis sattiva. Operacioni vazhdoi edhe në fshatin Mazrrek, në komunën e Gurit të Zi. Aty janë gjetur një numër të konsiderueshëm parcelash në territore të shpyllëzuara. Nga të dhënat zyrtare, në këtë zonë u bë i mundur identifikimi dhe më pas asgjësimi i 8271 rrënjëve bimë me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis sattiva:
Hetimet
Gjatë operacionit të zhvilluar në shkallë të gjerë në disa fshatra të Malësisë së Madhe janë ndaluar vetëm dy persona. Sipas burimeve zyrtare, ata dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë e kundraligjshme të kultivimit të lëndëve narkotike. Hetimet po vijojnë për gjetjen e personave të tjerë. “Pasi u kryen të gjitha veprimet përkatëse procedurale, materialet për dy të ndaluarit iu kaluan Prokurorisë së Shkodër, pasi akuzohen për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Burime të rezervuara për gazetën shprehen se operacionet po vazhdojnë dhe në shënjestër janë parcelat, ku banorët pretendojnë se është mbjellë kërp industrial. Pas arrestimit të kreut të Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit, Martin Pëllumbi, janë përshkallëzuar kontrollet në zonat ku kultivohet kjo bimë. Shkas u bënë analizat e mbërritura nga Italia, ku, sipas policisë, rezulton se bima ka përmbajtje të substancës narkotike më të lartë sesa parametrat e caktuara ligjërisht. Një gjë e tillë është refuzuar nga vetë fermerët, dhe veçanërisht kreu i Shoqatës, Martin Pëllumbi. Përmes një reagimi në media, ai ka hedhur poshtë ekspertizën që i është bërë kampionëve të kërpit, duke pretenduar se ajo është e pavlefshme. Tashmë Martin Pëllumbi ndodhet në mjediset e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës dhe ka apeluar masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit. Prej disa vitesh vazhdon beteja mes kultivuesve të kërpit industrial dhe policisë, e cila, ende deri më tani nuk ka të fituar. Por, askush nuk është në gjendje të thotë që dhjetëra fermerë në komunën e Shkrelit dhe në gjithë Malësinë e Madhe mbjellin kërp industrial apo bimë narkotike.

ZONAT E OPERACIONIT

Bjeshkët e Draganit, - u asgjësuan 3570 rrënjë Canabis sattiva
Duçaj, u asgjësuan 19143 rrënjëve bimë Cannabis sattiva.
Bratosh, u u asgjësuan gjithsej 534 rrënjë bimë Cannabis sattiva
Mazrrek, u u asgjësuan 8271 rrënjë bimë Cannabis sattiva.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›