Policia: U arrestuan 38 funksionarë të korruptuar të Administratës në 6 muaj
Tiranë – Policia e Shtetit ka vënë në pranga 38 funksionarë të Administratës nën akuzën e korrupsionit. Rezultatet e uniformave blu janë publikuar dje nga Drejtori i Përgjithshëm Ahmet Prençi në analizën gjashtë mujore. Sipas Prençit, në zbatim të prioriteteve të policisë vend të veçantë ka zënë lufta kundër korrupsionit. Kështu, për këtë vepër penale janë evidentuar 232 vepra penale me 377 autor, prej të cilëve 61 të arrestuar, ose 266 vepra penale dhe 251 autor të proceduar më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Në këtë aktivitet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është trefishuar numri i punonjësve të administratës publike, që janë proceduar penalisht”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në konferencën për shtyp. Për këtë periudhë janë proceduar 419 punonjës që ushtrojnë e kanë ushtruar funksione publike, prej të cilëve vetëm për veprën penale të korrupsionit janë arrestuar 38 funksionarë të administratës publike. Rezultat në rritje ka dhe në drejtim të luftës kundër krimit financiar. Gjatë këtij 6 mujori janë goditur 20 grupe kriminale. Strukturat e antikrimit Ekonomiko-Financiar dhe Korrupsionit kanë evidentuar gjithsej 1402 vepra penale, me 1684 autorë të proceduar, nga të cilat janë arrestuar 269 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë konstatuar 557 vepra penale më shumë dhe u proceduan 727 autorë më shumë.
Rezultatet
“Situata kriminale gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008, paraqitet e qëndrueshme dhe në parametra normal. Kemi rënie të numrit për krime të rënda dhe rritje të forcës zbuluese”, - tha Prençi, duke i’u referuar gjendjes së rendit dhe sigurisë publike për 6 mujorin e parë 2008. Sipas tij, është rritur bashkëpunimi me Prokurorinë, ku në total nga Policia e Shtetit janë goditur për këtë periudhe 69 grupe kriminale me 280 anëtarë të këtyre grupeve të arrestuar. E ndarë sipas drejtimeve kreu i uniformave blu deklaroi se janë realizuar 17 operacione policore në fushën e antidrogës, 18 për trafiqet e paligjshme, 20 në fushën e korrupsionit dhe krimit ekonomiko - financiar, 13 kundër krimeve të rënda. Gjithashtu janë evidentuar 44 vrasje dhe janë zbuluar 38 prej tyre, ose 86 për qind. “Por, vijoi Prençi, mbetet shqetësues shkaktimi i vetëvrasjes. Për këtë periudhë janë evidentuar 73 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tentativës për vetëvrasje”. Sipas tij, puna e mirë parandaluese është bërë në drejtim të tendencave kriminale kundër rendit kushtetues e akteve terroriste, gjë e cila pasqyron dhe situatën tashmë të stabilizuar të rendit e të sigurisë publike në vend. ndërsa për tendencat e krimit kundër pasurisë gjatë kësaj periudhe, konstatohet një ulje kryesisht në zërat vjedhje me dhunë ose armë, dëmtim ose shkatërrim të pronës, vjedhje automjetesh, vjedhja banesash etj. Gjatë këtij 6-mujori janë evidentuar 1125 raste të vjedhjeve së pronës dhe zbulueshmëria e tyre është 48.2 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 248 raste më pak ose me ulje kriminaliteti 18 për qind.
Antidroga
Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 janë arritur rezultate të mira në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, bëri të ditur në konferencën e djeshme për shtyp drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Duke i’u referuar trafikimit të drogës si shtet tranzit, Prenci tha se destinacion për trafikun e heroinës nga vendi ynë janë Italia dhe Greqia, ndërkohë që krahasuar me vitet e mëparshme, ka rënë ndjeshëm sasia e heroinës së tranzituar në këto shtete e konfirmuar kjo nga statistikat e tyre”. Ndërsa sasia e kokainës që tranzitohet nga Shqipëria është e papërfillshme. Në bazë të të dhënave të autoriteteve italiane, në vendin fqinj janë sekuestruar vetëm 6 kg heroinë, 3 kg e 272 gram kokainë dhe 4 kg mariuanë të trafikuara nga Shqipëria.
Prençi tha se gjate këtij viti sektori i luftës kundër drogës ka sekuestruar brenda vendit 47 kg heroinë, 813 gr kokainë, 2008 kg mariuanë/hashash, si dhe ka asgjësuar 6712 rrënjë kanabis sativa. Realizimi i 17 operacioneve policore ka sjellë arrestimin në total të 224 personave të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Në trafikun e hashashit dhe marijuanës, gjysma e parë e këtij viti mbyllet me 87 raste të konstatuara dhe me 119 persona të arrestuar, ndërkohë që po e njëjta periudhë e vitit të kaluar u mbyll me 54 raste të evidentuara dhe me 93 të arrestuar. “Bashkëpunimi i frytshëm me Prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të tjera ka mundësuar zhvillimin e 4 operacioneve ndërkombëtare, nga 2 të tilla të zhvilluara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, - theksoi Prençi
Trafiqet e Paligjshme
Nga Sektori Kundër Trafiqeve janë të evidentuara 244 vepra penale me 115 autorë të arrestuar, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi 238 vepra penale të evidencuara. Pra, rezulton se kemi të evidencuara 6 vepra penale me tepër gjatë këtij viti. Nga ky sektor janë goditur 18 grupe kriminale dhe janë realizuar 22 operacione policore, ose 4 operacione policore më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në këtë veprimtari janë implikuar edhe 21 shtetas të huaj.
Duhet përmendur se gjatë 6-mujorit të parë 2008, janë marrë masa për rehabilitimin e 20 viktimave të trafikut të qenieve njerëzore dhe të prostitucionit.
Personat në Kërkim
Gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2008 Policia e Shtetit ka kapur 714 persona në kërkim, ose 115 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga interpoli për këtë vit janë kapur 65 persona ne kërkim ne vende te ndryshme te Evropës. Gjithashtu, një punë shumë e mirë është bërë edhe në lidhje me zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Gjatë kësaj periudhe janë rifilluar hetimet për 215 procedime penale të vjetra, të cilat ishin të pezulluara. Këto procedime janë kryesisht për krimin e vrasjes, vjedhjes me dhunë, vjedhjes me armë, vjedhjes me pasojë vdekjen, etj.
Vetëm në këtë 6-mujor janë zbuluar 164 krime të vjetra nga të cilat 20 krime kundër personit, 104 krime kundër pronës dhe 40 krime të tjera.
Policia Rrugore
Në kuadër të masave të marra nga Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, gjatë këtij viti vihet re ulja e numrit të aksidenteve. Kështu, gjatë këtij 6 mujori ka pasur 547 aksidente, me 137 të vdekur ose 36 viktima me pak. Ndërkohë, që gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2007 kemi 566 aksidente me 173 të vdekur.
Viti Aksidente Te vdekur Te plagosur rende Te plagosur lehte
2007 566 173 158 412
2008 547 137 157 406
Diferenca -19 -36 -1 -6
28 Korrik 2008