Dhuna në familje, gratë falin burrat në gjykatë
Ligji i ri për dhunën në familje është zbehur në gjykatë, ku gratë, megjithëse denoncojnë burrat për dhunë sistematike, tërhiqen dhe si rrjedhojë togat e zeza detyrohen të pushojnë çështjen civile. Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës rezulton se në vitin 2010 janë regjistruar 213 çështje të reja, ku gratë ankohen për burrat për dhunë sistematike. çështjet regjistrohen dhe fillon shqyrtimi gjyqësor ku palët thirren për t’u paraqitur në seancë gjyqësore. Sipas të dhënave nga togat e zeza në 138 raste gratë janë tërhequr nga padia që kanë bërë dhe si rezultat padia është pushuar dhe gjykata nuk mund të marrë asnjë masë ndaj të paditurve. Rezulton se vetëm në rast palët, pra çifti, të jetë pajtuar në gjykatë, ndërsa 43 çështje janë pranuar në gjykatë dhe ka filluar shqyrtimi gjyqësor.
Megjithatë, ligji parashikon se nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor çifti ka gjetur gjuhën e përbashkët atëherë padia pushohet dhe në këtë rast gruaja ia fal burrit dhunën fizike apo psikologjike. Duke iu referuar një vendimi të gjykatës vërehet se ligji për “dhunën në familje” i miratuar në vitin 2006 ka disa të meta. Kështu, paditësja D.G i është drejtuar gjykatës duke paditur bashkëshortin N.G. Objekti i padisë është “Lëshim i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes”. Paditësja kërkonte të merrej menjëherë kjo masë. Nga gjykimi rezultoi e provuar se në seancën e fundit gjyqësore u paraqit paditësja e cila kërkoi të heqë dorë nga gjykimi, duke kërkuar pushimin e gjykimit të çështjes. “Në këto kushte, gjykata, bazuar në nenin 201 paragrafi i parë të K. Pr. Civile, i cili thotë se: ‘Paditësi në çdo fazë të gjykimit mund të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast, gjykata vendos pushimin e gjykimit’ çmon se gjykimi i çështjes duhet të pushohet” thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas tyre, efektet e pushimit të gjykimit i ka përcaktuar Kodi i Procedurës Civile, i cili ka parashikuar se: “Pushimi i gjykimit sjell si pasojë anulimin e të gjitha veprimeve procedurale, duke përfshirë edhe vendimet që jepen gjatë gjykimit, por në rast se paditësi ngre përsëri të njëjtën padi, provat e mbledhura në gjykimin e pushuar mund të merren parasysh në gjykimin e kësaj padie, në qoftë se për marrjen rishtas të tyre ka vështirësi ose pengesa të pakapërcyeshme”.
#