E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen dosjet e oficerit të prangosur të prokurorisë

Fier Vasil Ristani, nesër në gjykatë për masën e sigurisë

Thellohen hetimet për Vasil Ristanin, oficerin e Policisë Gjyqësore të Fierit, i cili u prangos të premten e kaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mësohet se pas marrjes në pyetje nga grupi i hetimit, ditën e diel janë sekuestruar të gjitha materialet që janë gjetur në zyrën e tij, që ndodhet në mjediset e Komisariatit të Policisë Fier. Pjesën më të madhe të raporteve të dosjeve që shqyrtonte, Ristani i realizonte në zyrën pranë policisë. Nuk bëhet e ditur nëse dokumentet e bllokuara janë të dosjes së vrasjes së Edmond Vruhos për të cilën OPGJ-ja u arrestua, apo janë për ndonjë çështje tjetër. Ajo që pohojnë burime të gazetës nga sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e policisë së qarkut lidhet me faktin se ky sektor ka nisur shqyrtimin e hetimit edhe për dosje të tjera të trajtuara nga Vasil Ristani. “Kjo bëhet për të verifikuar disa informacione që na kanë ardhur në rrugë operative. Mund të ketë edhe çështje të tjera ku mund të ketë favorizuar”, thonë për “Shqip” burime nga SHKB-ja e Fierit. Gjithsesi, vijimi i hetimeve do të tregojë implikimin e mundshëm të Vasil Ristanit në çështje të tjera apo dhe në atë për të cilën është arrestuar të premten e kaluar. Gjatë marrjes në pyetje, Vasil Ristani nuk ka pranuar të ketë marrë ryshfet dhe ka këmbëngulur se ka respektuar ligjin gjatë gjithë hapave që ka ndërmarrë. Procedura e ndjekur prej tij për marrjen e dy deklaratave dhe mosdepozitimin e tyre në dosje cilësohen prej prokurorisë dhe Task-Forcës që ka marrë në shqyrtim çështjen “Ristani” shpërdorim me detyrën, ndërkohë që burime të saj deklarohen se kanë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Vasil Ristani ka përfituar vlera monetare kundrejt favorit të kryer. Të hënën pritet që ai të përballet me togat e zeza të Gjykatës së Fierit, ku pritet të merret edhe masa e vlerësimit të sigurisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›