Mungesa e femrave në polici, shqetësim për të trafikuarat
Numri i pakët i femrave në polici ka sjellë një sërë problemesh për shkak të viktimave të trafikut, duke nisur që nga identifikimi i tyre, te trajtimi e deri te marrja në mbrojtje dhe kryerja e procedurave për kallëzime ndaj trafikantëve. Ky shqetësim vihet në dukje edhe nga zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, e cila është shprehur se po përgatitet një fushatë, me qëllim që të rritet numri i femrave në polici, pasi deri tani, ky institucion është parë vetëm si një forcë mashkullore.
Në radhët e Policisë së Shtetit, sa i përket forcës operacionale, pra punonjës me uniformë, numri i femrave është shumë i vogël, pothuajse i papërfillshëm. Megjithatë, kjo nuk vjen për faj të drejtuesve apo faktorëve të tjerë, por për neglizhencën që femrat kanë për të hyrë në polici. Duke e identifikuar forcën policore prej vitesh si një aktivitet mashkullor, shumë femra pranojnë të qëndrojnë edhe pa profesion dhe nuk konkurrojnë për të hyrë në radhët e policisë. Megjithatë, mungesa e tyre sjell një sërë problemesh, ku një prej tyre është vënë në dukje nga vetë zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, gjatë një takimi që ka pasur me gazetarët.
Sipas të dhënave, ky problem ka të bëjë me trafikun e femrave dhe të miturve. Nga analizat e kryera rezulton se policia, sidomos ajo kufitare identifikon 90% të rasteve të femrave të trafikuara. Sa herë ato kthehen në kufi, është detyra e policisë për t’i identifikuar nëse janë viktima trafiku, apo udhëtare nga njëri shtet në tjetrin. Në këto raste, kur femrat e trafikuara mbërrijnë në kufi, ato u nënshtrohen seancave të ndryshme të pyetjeve nga punonjës policie dhe nëse ka dyshime të forta se ato janë viktima të trafikut, atëherë u sillen edhe psikologë. Megjithatë, punonjësit e policisë të patrajnuar mirë në këtë fushë, sjellin edhe pasiguri te këto viktima trafiku, duke bërë që ato mos të kallëzojnë tutorët e tyre. Kjo pasiguri vjen që nga kontakti i parë me uniformën policore, që është frenues dhe jo bashkëpunues, e pastaj tek intervistimi e etapat e tjera. Gjithashtu, është vënë re se ato janë më të hapura dhe flasin më lirshëm me punonjëse policie.
Por, kjo nuk bëhet e mundur gjithmonë për shkak të numrit të kufizuar të femrave në polici. Në këto kushte, zëvendësministrja e Brendshme për çështjet e trafikut të qenieve njerëzore ka kërkuar që në polici të ketë më shumë femra. Megjithatë, siç dihet në polici hyhet me dëshirë dhe me konkurs. Gjithë personat që kanë dëshirë, pranojnë të konkurrojnë për shkollën e policisë dhe nëse ata arrijnë të marrin pikët e limitit në çdo testim, atëherë fillojnë shkollën dhe emërohen në polici. Për shkak se nuk mund të shmanget kjo procedurë, mendohet të vihet në zbatim një lloj publiciteti që në polici të afrohen më shumë femra. Për këtë arsye, policia po përgatit një projekt që të publikojë punën e policisë, jo vetëm si një forcë mashkullore, por në një formë më bashkëpunuese, me qëllim arritjen e policimit në komunitet.
Numri i vogël i femrave duket që nga kandidatët për shkollën e policisë, ku janë në përqindje të papërfillshme. Gjithashtu, edhe lloji i shërbimit të policisë, me tre turne, shpeshherë i bën këta kandidatë të tërhiqen e të gjejnë profesione të tjera. Gjithashtu, numri më i madh i femrave në polici është futur në shërbimet mbështetëse, që nuk kanë të bëjnë direkt me problemet që shkakton mungesa e tyre në sektorë të ndryshëm, duke filluar që nga dhuna në familje e deri te viktimat e trafikut.
#