E Diel, 1 Nëntor 2026

Grada Komisar, 63 oficerë kalojnë testimin

Në testim morën pjesë rreth 600 punonjës policie. Vetëm 1/10 kaloi kufirin minimal prej 60 pikëve

Mbi 600 oficerë policie kanë konkurruar dy ditë më parë për gradën “Komisar”, por vetëm 63 prej tyre kanë mundur të kalojnë kufirin minimal të pikëve. Pjesë dërmuese që kanë kaluar testin e parë për këtë gradë janë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nga e cila kishin konkurruar 200 oficerë. Bëhet fjalë për konkursin, i cili ishte planifikuar të realizohet në fillim të muajit maj, por që u shty për shkak të angazhimit të forcave policore në ruajtjen e rendit për mbarëvajtjen e grevës dhe protestave të organizuara nga Partia Socialiste. Burimet policore bënë të ditur se ditën e shtunë, 600 oficerët e policisë nga i gjithë vendi, ku 400 u përkisnin drejtorive në qarqe, ndërsa pjesa tjetër Tiranës, janë paraqitur pranë Qendrës së Formimit Policor për të konkurruar. Testimi i tyre ka qenë me shkrim dhe kishte 100 pyetje. Për këtë, çdo oficer police duhej të merrte të paktën 60 pikë, që të kalonte testin. Megjithatë, këtë kufi e kanë kaluar vetëm 63 prej tyre, duke fituar nivelin e parë të testimit për gradën “komisar”, që është niveli i parë drejtues dhe paralelizohet me funksione si shef seksioni në drejtori qarku, komisariati, ose në drejtoritë e kufirit, e deri e zëvendëskomandantët në repartet speciale të policisë. Tashmë, ata do u nënshtrohen edhe dy testimeve të tjera, që janë më të thjeshta, me gojë dhe testimit psikologjik për të fituar këtë gradë. Megjithatë, sipas procedurës, atyre u njihet zyrtarisht grada vetëm ku gjendet një funksion për atë gradë. Deri në atë kohë, ata qëndrojnë në listën e pritjes së lirimit të vendeve të punës nga punonjës që ngrihen në grada më të larta. Ndërsa pjesa tjetër, që nuk kaloi këtë testim ka të drejtë të konkurrojë sërish pas një viti, ku detyrimisht numri i konkurrentëve do të jetë edhe më i lartë për shkak të rritjes së vjetërsisë në punë për punonjës të tjerë të policisë, që i shtohen listës. Pyetjet për këtë nivel grade kanë qenë të ndryshme, që nga rregullorja e disiplinës, të drejtat e njeriut e deri te procedurat e oficerëve të krimit apo të rendit për çdo ngjarje të mundshme. Aktualisht, në polici ka vetëm 80 vende të lira për gradën “Komisar”. Tashmë pritet që këta oficerë policie të kalojnë edhe procedurat e tjera për marrjen e gradës dhe mund të marrim emërime në funksione të tjera. Nëse ata nuk pranojnë të shkojnë në këto vende të lira, atëherë mund të heqin dorë nga grada, me qëllim që të mbajnë vendet e punës që kanë aktualisht dhe që përputhet me gradën “nënkomisar”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›