Policia e Burgjeve, Avokati i Popullit: Nuk ka një trajtim financiar sipas gradave
Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda, i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, të zgjidhë problemin e 3000 punonjësve të policisë së burgjeve të patrajtuar financiarisht. Rekomandimi ka mbërritur disa ditë më parë në zyrën e Dibrës dhe po shqyrtohet nga krerët e burgjeve. Në letrën e Podës thuhet se gjatë shumë inspektimeve të vitit të kaluar, por edhe gjatë atyre të kryera në vitin 2010 është vënë shpesh në dijeni për ankesa të efektivave të Policisë së Burgjeve për mostrajtim të rregullt financiar. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, zyra e Podës është vënë në dijeni se nuk ekziston ndonjë parregullsi në trajtimin financiar të efektivave të policisë, por vetëm disa probleme në planifikimin e fondeve të vëna në dispozicion për këtë qëllim. Avokati i Popullit është vënë në dijeni se ende nuk ka një trajtim financiar të rregullt sipas gradave të Policisë së Burgjeve, megjithëse funksionet e mesme dhe të larta kanë kohë që janë konvertuar me grada dhe paga të reja. Kjo ka sjellë që në disa prej IEVP-ve drejtues të policisë të mos marrin pagën që u takon në bazë të funksionit që kryejnë. Gjithashtu, një tjetër problem mbetet edhe trajtimi i barabartë me pagë i drejtuesve të policive, në kushtet kur disa prej tyre iu duhet të përballojnë një volum pune 3 herë më të lartë sesa kolegët e tyre në IEVP më të vogla dhe me veprime më të kufizuara ditore. “Avokati i Popullit vëren se të gjitha konstatimet e mësipërme, të ngritura edhe nga efektivat punonjës së Policisë së Burgjeve duhet të merren në konsideratë, të verifikohen e trajtohen sa më shpejt. Për këtë qëllim ju propozojmë që të ngrini menjëherë një grup pune dhe të nisni kontrollin ekonomiko-financiar të të gjitha IEVP-ve që kanë ngritur probleme të tilla. Ky grup pune duhet të ketë tagrin kryesor që të marrë takim me të gjithë efektivat punonjës të policisë dhe të presë ankesa prej tyre, të verifikojë pretendimet e tyre në regjistrat përkatës të pagesave dhe në rast se nuk konstatohen shkelje financiare, të ketë detyrimin të sqarojë me hollësi policët përkatës. Krahas kësaj mase, ky grup duhet të rishikojë edhe njëherë trajtimin financiar sipas gradave dhe fondin fizik që lëvrohet aktualisht sipas kategorive të veçanta, duke nxjerrë parregullsitë e mundshme”, thuhet në rekomandimin e zyrës së Avokatit të Popullit. Sipas tyre, marrja e këtyre masave do të bëjë të mundur eliminimin e pabarazisë së kësaj kategorie punonjësish me kolegët e tjerë të trajtuar, si në plotësimin e nevojave të tyre financiare, ashtu dhe në respektimin e dinjitetit të tyre njerëzor si punonjës të këtij shteti. Avokati i Popullit çmon se një efektiv policie i paguar dhe i trajtuar në mënyrë korrekte sipas dispozitave në fuqi është më i motivuar për të respektuar detyrën dhe të drejtat e njeriut. “Mendojmë se këto masa të propozuara do të ofrojnë zgjidhje apo sqarime të plota në rrugë administrative, pa qenë e nevojshme që probleme të tilla për neglizhencë dhe burokraci të bëhen objekt i shqyrtimeve gjyqësore”, thuhet në rekomandimin e zyrës së Avokatit të Popullit.
#