Lirohet autori që plagosi kleptomanin e vjedhjeve
Lirohet autori që plagosi 12-vjeçarin e tmerrshëm të vjedhjeve. Policia ka vërtetuar se plagosja ka ardhur për shkak të përleshjes me kleptomanin Markelian Cungu dhe që thika ka qenë e tij dhe jo e autorit të plagosjes. Burimet policore shpjegojnë se ai është plagosur lehtë në fyt dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që është zbardhur plotësisht edhe ngjarja. Sipas të dhënave, superhajduti ka përfunduar në urgjencën e Spitalit Ushtarak mbrëmjen e së shtunës, me plagë të lehtë në fyt, ndërsa autori 50-vjeçar është vetëdorëzuar në Komisariatin Nr. 4 të Policisë së Tiranës. Bilal çuni ka deklaruar në polici se Markeljani i kishte vjedhur bizhutë në banesë në Allias të martën dhe dje e kishte gjetur, duke i rrahur djalin dhe kanosur të shoqen. Sipas të dhënave, djali i autorit ka qenë duke biseduar me shokët sesi Cungu u kishte vjedhur shtëpinë, pa e ditur se ai ishte pranë tij. Në këto kushte, 12-vjeçari e ka goditur dhe më pas ka marrë një thikë dhe është afruar pranë banesës së tij. Aty ka kërcënuar nënën e djalit të rrahur dhe ka nxjerrë thikën që e mbante në xhep. Pa vonuar, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe Bilal çuni, i cili ka tentuar që t’i marrë thikën 12-vjeçarit. Gjatë përleshjes, ai është plagosur dhe është dërguar në spital. Sipas të dhënave, policia ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë dy protagonistët e ngjarjes.
Markeljan Cungu, pavarësisht moshës së mitur rezulton të jetë hajduti që ka realizuar më shumë vjedhje të paktën në 20-30 vitet e fundit në Shqipëri. Mbi 600 herë i shoqëruar në polici, ndërsa rastet për të cilat është akuzuar kanë qenë edhe më shumë, Markeljani ishte bërë “si i shtëpisë” nëpër komisariate, pasi shoqërohej pothuajse çdo javë që prej moshës 9-vjeçare. Për shkak të moshës, ai nuk është mbajtur asnjëherë i arrestuar dhe ka përfituar edhe nga mungesa e shkollave të riedukimit. Pavarësisht se qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë për hapjen e këtyre shkollave, ende nuk është bërë asgjë. Të miturit, sidomos në Tiranë janë bërë një problem i madh për rendin, sidomos në fushën e vjedhjeve. Ata vazhdojnë të mbeten të lirë, duke rrezikuar edhe jetën për shkak të përplasjeve me personat e dëmtuar, ashtu siç ndodhi edhe dy ditë më parë. Shumë ekspertë deklarojnë se të miturit duhen trajtuar në qendra speciale, sepse vetëm nocioni i burgut i lodh dhe i streson, i krijon një mbyllje që në fillim. Përvoja e shumë vendeve europiane tregon se këto shkolla janë shumë të përhapura. Madje, një përvojë shumë e mirë për krijimin e këtyre shkollave është Suedia. Nuk është se krijohen shkolla shumë të mëdha, me numër shumë të madh, sepse duke krijuar shkolla me një numër të madh, për vetë natyrën gjeografike të Shqipërisë, kjo do të krijonte vështirësi që të marrësh fëmijë nga zona shumë të thella dhe t’i mbledhësh në një zonë të caktuar. Por duke krijuar shkolla të vogla, për t’i shërbyer një komuniteti të caktuar.