E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraburgimi 313, të paraburgosurit VIP ankohen për kushtet

Kontrolli

Të paraburgosurit VIP që ndodhen në procese të rëndësishme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ankohen se jetojnë në kushte të papërshtatshme. Ata kanë kontaktuar me zyrën e Avokatit të Popullit duke shprehur pakënaqësi për trajtimin. Gjatë kontrollit nga avokati janë gjetur tetë “shkelje”. Në momentin e inspektimit godina për meshkuj strehonte 286 të paraburgosur. Kapaciteti zyrtar është për 321 persona. Megjithëse kapaciteti zyrtar për godinën nuk është deklaruar, nga inspektimi i dhomave konstatohej se disa prej tyre janë të mbipopulluara. Në shumë qeli ajrosja nuk ishte e mjaftueshme, sipas komisionerëve të Avokatit të Popullit dhe ndriçimi natyral është i kufizuar. Sipas tyre, kutitë e instalimet elektrike në disa prej tualeteve ishin të pambuluara. Ankesë e përbashkët e të gjithë të paraburgosurve ishte numri i kufizuar i kabinave telefonike. Në çdo prej tre kateve kishte vetëm një kabinë telefonike. Kabina telefonike në katin e dytë dhe të tretë përdorej nga rreth 130 vetë secila. Të paraburgosurit qëndronin në radhë për të kryer bisedën telefonike. Ankesa pati edhe në lidhje me kontrollin e ushqimeve që sjellin familjarët. Të paraburgosurit kërkuan që ëmbëlsirat të mos kontrollohen me të njëjtat sende që kontrollohen ushqimet e tjera. Sipas tyre, kontrolli i dhomave për gjetjen e sendeve të ndaluara bëhet duke dëmtuar sendet që ata posedojnë. Ndërsa nga verifikimi që iu bë listës së çmimeve të produkteve që shiten në dyqanin e institucionit u konstatua se ato ishin të muajit janar 2010.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›