Nxënësit shqiptarë, në garë për kolegjet më të mira në botë
Nxënës të viteve të dyta të shkollave të mesme, me notë mesatare 9.5 e lart, mund të marrin pjesë në konkursin që zhvillon rrjeti i Kolegjeve të Botës së Bashkuar të Mostarit. Një ndër shkollat më të mira të botës mirëpret këtë vit 6 nxënës nga Shqipëria. Në fillim të muajit maj, në Institutin e Kurrikulës dhe Trajnimit në Tiranë do të zhvillohet testimi i nxënësve që regjistrohen në konkurs. Lajmin e bëri të ditur dje Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas zyrës së shtypit, nxënësit e viteve të dyta të shkollave të mesme mund të marrin pjesë në këtë konkurs, ku do të përzgjidhen 6 më të mirët. Ata do të ndjekin vitin e tretë të shkollës së mesme në një nga kolegjet e Botës së Bashkuar. Konkretisht në një nga shtetet: Itali, Uells, Norvegji, Kanada, Hong Kong dhe Bosnjë-Hercegovinë. Për të fituar këto studime prindërit do të paguajnë pesë mijë euro për të dyja vitet që nxënësi qëndron në kolegj. "Bursa e studimit është e pjesshme kundrejt një tarife prej 5000 eurosh, që rezulton me një ulje tarife deri në 50%", bën të ditur MASH-i. Po kështu, dikasteri i arsimit njofton se "nxënësit e interesuar mund të gjejnë informacion të bollshëm nëpër drejtori arsimore për mënyrën e aplikimit në këto kolegje". Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të rretheve do të menaxhojnë edhe fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve, që do të fitojnë të drejtën për t‘u intervistuar në konkurrimin që do të organizohet nga MASH në shkallë kombëtare. Dokumentacioni i plotësuar i aplikantëve do të dërgohet zyrtarisht pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit, deri në datën 20 prill 2008 dhe të shoqërohet me shkresën përkatëse nga Drejtoria Arsimore Rajonale ose Zyra Arsimore me miratimin e emrave të kandidatëve.