E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, Berisha: Shkak për vonimin e Eurobondit



Kryeministri Sali Berisha pranoi dje gjatë një konference për shtyp që situata e vështirë e Greqisë pengoi daljen në tregun financiar ndërkombëtar të Shqipërisë për emetimin e Eurobondit.
“Në periudhën kur ne dolëm në tregjet financiare, ndodhi një gjë e paprecedentë, në dijeninë time, në historinë e tregjeve financiare. Një vend i eurozonës, fatkeqësisht të nesërmen e asaj dite që unë isha në Londër, u klasifikua në “junk” status. Ky është statusi më ekstrem në negativitet”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, kompanitë që bëjnë renditjen e borxhit si “Moodys”, “Standard and Poor’s”, “Fitch Ratings”, shpallën borxhin e Greqisë në ekstremitetin negativ, çka krijoi panik dhe përçoi qartë tek investitorët thirrjen “Mos investo!”. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, Kryeministri shprehu besim për emetimin e Eurobondit shqiptar, duke e bazuar këtë në bashkëpunimin me dy bankat e mëdha J.P. Morgan dhe Deutsche Bank, që janë edhe menaxheret e këtij procesi. Javën e kaluar Shqipëria u përgatit për të dalë zyrtarisht në tregun ndërkombëtar për të emetuar një eurobond 400 milionë euro, por që situata e krizës greke krijoi amulli në këtë treg. çekia, e cila po përgatitej për të njëjtin proces, ashtu sikurse Shqipëria, u tërhoq për ta lënë në një moment më të përshtatshëm. Për uebsajtin e lajmeve financiare, “Bloomberg”, zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, është shprehur se Shqipëria nuk do të tërhiqet përfundimisht dhe do të vazhdojë procesin dhe takimet me investitorët për të siguruar 400 milionë eurot. Besimi i shprehur nga autoritetet përkatëse shqiptare bazohet te përzgjedhja e dy bankave të fuqishme në rolin e menaxhereve dhe po kështu edhe në renditjen që i është bërë vendit nga dy kompani, që bëjnë vlerësimin e borxhit dhe hapësirave për investim. Fillimisht borxhi i Shqipërisë u rendit nga “Moody’s” me B1 dhe vëzhgimi për ekonominë rezultoi stabël kurse “Standard & Poor’s” disa ditë më vonë vlerësoi borxhin me B+ dhe ekonominë si të qëndrueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›