E Diel, 1 Nëntor 2026

E tërheq zvarrë lopa, vdes 11-vjeçari në Kukës



KUKËS - Lopa i ka marrë jetën një djali të mitur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Fshat të Kukësit. Ngjarja, siç mësohet nga burimet e policisë, ka ndodhur dy ditë më parë në orët e mbrëmjes, kur një fëmijë 11-vjeçar, nxënës i klasës së katërt, ka humbur jetën në mënyrë tragjike kur lopa që po kulloste e ka marrë zvarrë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Burime të policisë thanë se shtetasi Ndriçim Karanxha, 11 vjeç, kishte lidhur pas dorës litarin e lopës që po kulloste kur lopa ka vrapuar duke e tërhequr për dhjetëra metra zvarrë fëmijën. Fëmija e ka pasur të pamundur të ndalojë vrapin e kafshës, e cila e ka tërhequr zvarrë disa dhjetëra metra derisa ka ndalur vetë”. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas ndalimit të vrapimit të harbuar të kafshës u vërejt se fëmija kishte humbur jetën nga plagët e mëdha në trup. Fshati ku ndodhi ngjarja e rëndë është një ndër fshatrat më të thellë të Kukësit, ku fëmijët pas mësimit merren me kullotjen e bagëtive si lopë, qengja e keca.

Sherret, tre të rinj në hetim nga policia
DURRËS - Tre të rinj janë vënë në hetim nga policia pasi akuzohen se kanë goditur me grushte persona të tjerë. Burimet zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 24-vjeçarin me inicialet J. S. dhe 27-vjeçarin me inicialet R. M. Procedimi penal ndaj tyre ka filluar bazuar në kallëzimin e bërë nga një i ri, i cili pretendon se në datën 2 qershor 2010, në Lagjen Nr. 6 Durrës, është goditur me grushte duke marrë dëmtime nga dy të hetuarit. Po ashtu, dy ditë më parë ka filluar hetimi në gjendje të lirë dhe për një tjetër të ri. Hetimi në gjendje të lirë ka nisur për qytetarin me inicialet K. M., banues në fshatin Shënavlash, Durrës. Procedimi penal ndaj tij ka filluar pasi tri ditë më parë, rreth orës 16:00, pas një konflikti të çastit për motive pronësie, në fshatin Shënavlash Durrës, dyshohet se ka qëlluar me sende të forta në pjesë të trupit shtetasin R. Sh., 46 vjeç, banues në Shënavlash. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Hidhet në det për t’u vetëvrarë, shpëtohet nga kalimtarët
VLORË - Një e re 21-vjeçare është hedhur në det në një tentativë për vetëvrasje duke pësuar një sërë frakturash. Kanë qenë orët e vona të dy ditëve më parë kur e reja me inicialet E. M. ishte ulur në një prej lokaleve të zonës së bregdetit, në zonën e quajtur Kalaja në Vlorë. Pasi i ka dhënë porosinë kamerierit, e reja është hedhur menjëherë në det. Klientët e tjerë, të tmerruar nga pamja, kanë thirrur pronarët dhe stafin e lokalit për çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që kanë qenë këta të fundit që kanë hedhur menjëherë në det një varkë kanoa dhe janë drejtuar menjëherë për t’i ardhur në ndihmë 21-vjeçares. Të rinjtë e kanë hipur atë në mjetin e lundrues dhe e kanë nxjerrë në breg të detit, ku kanë thirrur menjëherë policinë dhe ambulancën. Sipas mjekëve, e reja, edhe pse distanca mes ujit dhe shkëmbit ku është hedhur ishte e madhe, ka shpëtuar, ndërkohë që ka marrë fraktura të ndryshme në trup. Sipas policisë, nuk dihen ende arsyet e tentativës së vetëflijimit për shkak se e reja ka refuzuar të flasë, madje dyshohet që edhe gjeneralitetet e dhëna të jenë false.

Adoleshentja pi ilaçe për të vrarë veten, shpëton
DURRËS - Nën kushtet e një sëmundjeje depresive të vazhdueshme, nga e cila vuante prej kohësh, një adoleshente ka përdorur të gjitha medikamentet që kishte në shtëpinë e saj, duke paraqitur një rrezik të vërtetë për jetën. Por, për fat të mirë, ka mundur t’i shpëtojë vdekjes falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, pasi u konstatua se ishte në gjendje të rëndë nga familjarët e saj. Fjala është për 14-vjeçaren me inicialet K. F., lindur dhe banuese në Durrës, e cila, pasi ka filluar të ketë shqetësime falë medikamenteve që piu, ka njoftuar prindërit, të cilët fillimisht e kanë transportuar drejt Spitalit të Durrësit dhe më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Fatmirësisht, pas mjekimeve të marra në këtë spital, e dëmtuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa materialet procedurale i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Trafiku i drogës, policia vë në pranga disa shqiptarë

ROMË - Policia italiane ka goditur ditën e djeshme një bandë që akuzohet për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik kokaine, mes cilëve edhe shqiptarë. Në pranga janë vënë 7 persona, ndërkohë që është bllokuar një sasi kokaine dhe dy vetura. Prej të arrestuarve rezultojnë dy shqiptarë, Arjan Kaceli, 25 vjeç dhe Afrim Gjini, 26 vjeç. Gjatë operacionit janë lënë të lira nëntë vajza, kryesisht nga Rumania, të cilat ishin detyruar me dhunë të prostituonin. Sipas policisë, sasia e kokainës u gjet në banesën e një shqiptari, fshehur në lavatriçe.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›