E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, rrihen tri bashkëshorte dhe një baba

Tri gra dhe një burrë janë
marrë në mbrojtje nga
policia, pasi ata kanë denoncuar
se vazhdimisht janë
keqtrajtuar nga të afërmit e tyre.
Policia e Tiranës i ka shënuar
këto raste në zona të ndryshme
dhe vihet re se ka pasur një rritje
të numrit të denoncimeve. Burimet
policore thanë se dy raste
janë regjistruar në zonën e Komisariatit
Nr. 3, një në zonën e
Komisariatit Nr. 2 dhe një në
Kavajë, e cila është nën juridiksionin
e Tiranës. Sipas policisë,
mëngjesin e djeshëm ka bërë
kallëzim Valbona Nikoçi, 24
vjeçe, banuese në rrugën "Pandi
Dardha", pasi dy ditë më parë,
në orën 10:30, në banesën e saj
është goditur nga bashkëshorti
i saj, Arben Nikoçi, 33 vjeç. Kjo
ngjarje ka ardhur pas një konflikti
të momentit, ndërkohë që
policia ka marrë në mbrojtje tët
dhunuarën. Ndërkohë, po dje ka
bërë kallëzim Enkelejda Xhika,
34 vjeçe, banuese te Bregu i Lumit.
Sipas denoncimit, më datë
9 të këtij muaji, rreth orës 20:00,
në banesën e saj është goditur
nga bashkëshorti Mustafa Xhika,
39 vjeç. Sipas policisë, u kryen
veprimet hetimore dhe agresori
do të ndiqet në gjendje të lirë për
plagosje. Gjithashtu, policia i
plotësoi Xhikës urdhrin e
mbrojtjes, duke ndaluar bashkëshortin
e saj që t‘i afrohet, me
qëllim parandalimin e ndonjë
ngjarjeje më të rëndë. Ndërkohë,
nga policia e Kavajës, në orën
09:00 iu plotësua urdhri i
mbrojtjes shtetases Myrvete
Spiro, 40 vjeçe, lindur dhe banuese
në Lagjen 3 të këtij qyteti.
Sipas denoncimit në polici,
bashkëshorti i saj, Vlash Spiro, 46
vjeç, e ka keqtrajtuar tri herë
brenda këtij muaji. Sipas të
dhënave të policisë, rastet janë
shënuar në datat 14 tetor, 5 dhe
10 nëntor, ku 46-vjeçari ka ushtruar
dhunë fizike dhe
psikologjike ndaj të shoqes.
Ndërkohë, rasti i fundit ka të
bëjë me një person, i cili është
marrë në mbrojtje, pasi keqtrajtohej
nga i biri. Sipas policisë, në
orën 13:00 të ditës së djeshme,
Osman Pezës, 62 vjeç, lindur dhe
banuese në Rrugën e Kavajës, iu
plotësua kërkesë padia për
lëshimin e urdhrit të menjëhershëm
të mbrojtjes nga gjykata,
pasi djali i tij, Klodian Peza, 34
vjeç, i dënuar për vjedhje, ushtron
dhunë fizike dhe
psikologjike ndaj tij. Të katër rastet
janë trajtuar nga policia dhe
materialet i kanë kaluar
prokurorisë për të ndjekur çështjet
në etapat e mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›