E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, përsëri shqiptarë në trafikun e drogës

Shqiptarë të tjerë janë arrestuar nga policia italiane
për trafik droge, ndërkohë që edhe policia shqiptare
ka arrestuar një shtetas të saj për llogari të drejtësisë
italiane. Policia e Firences deklaroi se ka ndërmarrë një
aksion për kapjen e një grupi trafikantësh, të cilët dërgonin
drogë në Itali nëpërmjet Marokut dhe Spanjës.
Njoftimet e policisë bëjnë të ditur se janë 31 vetë të
lidhur me këtë trafik, disa prej të cilëve janë arrestuar,
ndërkohë që të tjerë janë nën hetim. Mbi këtë grup
rëndon edhe akuza për prostitucion. Hetuesit e Pizës
dhe Firences kanë nisur dy vjet më parë hetimet për
ushtrimin e prostitucionit të vajzave shqiptare dhe rumune
nga tutorë shqiptarë të vendosur në një provincë
të Firences dhe Pizës. Më pas, ky grup është përfshirë
edhe në trafikun e drogës. Gjatë hetimeve, policia ka
arritur të sekuestrojë rreth 250 kilogramë hashash, 2
kg e gjysmë kokainë dhe 500 gramë amfetaminë, me
një vlerë prej 4 milionë eurosh. Ndërkohë, në Kavajë
është arrestuar një 37-vjeçar, i cili është në kërkim
ndërkombëtar për trafik droge. Afrim Meka, banues
në Rrogozhinë, u ndalua rreth orës 15:00 të së martës,
sepse prokuroria e rrethit ka urdhëruar ndalimin për
veprën penale të shitjes së lëndëve narkotike dhe në
Itali është i dënuar në mungesë me 6 vjet burg e 20
mijë euro për pjesëmarrje në trafik ndërkombëtar droge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›