Dhuna në familje, tri viktima brenda një dite
Krimi dhe dhuna në familje merr përmasa alarmante. Pas ngjarjes së ndodhur katër ditë më parë në një fshat të Gjirokatrës, ku shtetasi Halil Roshi masakroi bashkëshorten e tij, edhe disa ngjarje të tjera janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në disa rrethe të vendit. Burimet zyrtare raportojnë se një 25-vjeçar është prangosur pasi ka keqtrajtuar gruan e tij, e cila ndodhet në spitalin e Librazhdit. Dy ditë më parë, një shtetas qëlloi kunatin e tij me thikë pas një konflikti që kishte në familjen e tij dhe është shpallur person në kërkim. Burimet policore të kryeqytetit raportuan se shtetasi Tomorr Mehja është prangosur pas një viti në kërkim, pasi ka detyruar bashkëshorten e tij të vetëvaret.
Dhunoi bashkëshorten
Një 25-vjeçar po procedohet në gjendje të lirë, pasi për motive xhelozie ka goditur bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se shtetasi Lavdrim Gjini, banues në fshatin Stërblevë të Librazhdit, për motive xhelozie, ka rrahur bashkëshorten e tij, shtetasen M. Gjini, 23 vjeç, e cila aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin e qytetit të Librazhdit në gjendje kritike për jetën. Sipas këtyre burimeve, 25-vjeçari akuzohet për veprën penale “plagosje me dashje” dhe çështja në ngarkim të tij, i ka kaluar prokurorisë së rrethit.
Qëllon me thikë kunatin
Konflikti në familjen Feratoviç ka marrë përmasa më të mëdha, pasi kryefamiljari ka plagosur me thikë kunatin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21.00, në lagjen Nr. 8 në qytetin bregdetar, shtetasi Fatmir Feratoviç, lindur në Durrës, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka goditur me thikë, kunatin e tij. Sipas tyre, i lënduari është shtetasi S.B. 43 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. “Aktualisht i dëmtuari ndodhet në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën”, - pohon zëdhënësja e Policisë së Qarkut. Sipas Ornela Cakos, “po punohet për kapjen e shtetasit Fatmir Feratoviç dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”. Feratoviç akuzohet për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “prishje të qetësisë publike”.
Arrestohet i kërkuari
Një i kërkuar për dhunë në familje ka rënë në praga. Ngjarja e ndodhur një vit më parë vetëm dje ka mundur të vërë në pranga autorin dhe shkaktarin e kësaj vetëvarje. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët kanë bërë të ditur arrestimin e Tomorr Merja i cili akuzohet se ka shtyrë në vetëvrasje gruan e tij. Për këtë ngjarje grupi i hetimit ka zbuluar se bashkëshortja Merja është vetëvarur si pasojë e dhunës së ushtruar nga ana e bashkëshortit të saj. Hetimet kanë mundur të zbardhin vetëm pas një viti të dhënat e para për të kryer arrestimin e Tomorr Merja, ndërkohë që çifti ka dy fëmijë njëri në moshën 17 vjeç dhe tjetri në moshën 15 vjeç. Arrestimi i Tomorr Merja është kryer nga ana e Komisariatit të policisë nr.6.
Disa ditë më parë shtetasi Halil Roshi nga Gjirokastra masakroi me mjete të forta bashkëshorten e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Shkak i krimit ishte një konflikt për motive xhelozie. Ai u prangos 13 orë pas vrasjes. Në të gjithë vendin ka një rritje të statistikave të krimit në familje.
29 Korrik 2008