E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dopiostrategjia e Uashingtonit në konfliktin bërthamor



Momenti kishte vlerë simbolike. Zëdhënësi i presidentit amerikan, Robert Gibbs, mbeti disa sekonda pa fjalë, kur u pyet për vënien në punë të centralit të parë bërthamor iranian në Busher me ndihmën ruse. "Rusia kujdeset për lëndën djegëse. Kjo është një gjë e mirë. Veçanërisht po të përmendim që gjithçka bëhet nën vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare"- u shpreh me belbëzime zëdhënësi i Obamës.

Pasiguria e shtabit më të afërt të Obamës nuk mund të mos kuptohet
Madje është tipike për qeverinë amerikane. Presidenti Obama theksoi me plot vendosmëri pak para mandatimit, se ai do të bëjë gjithçka që Teheranit të mos i bien në dorë armët bërthamore. Dhe nën duartrokitjen e lobit izraelit AIPAC në Uashington, Obama i përsëriti shpesh këto fjalë. Ai do të bënte gjithçka, ama gjithçka që të pengonte bombën atomike iraniane. Me këtë Obama i kanosej Iranit pak para ardhjes në postin e presidentit, de facto me atë që po përpiqet më të gjitha mënyrat ta ndalojë tani. Një goditje ushtarake amerikane kundër reparteve atomikë në Iran. Me qëllim që t'i luajnë vendit krerët ushtarakë në Teheran, udhëheqësit kryesorë ushtarakë në Uashington kohët e fundit kanë përmendur gjithnjë e më shumë mundësinë e sulmit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Amerikan, gjenerali Mike Mullen: "Opcioni ushtarak është një mundësi veprimi e rëndësishme dhe e kuptuar ashtu si duhet nga presidenti."

Edhe Irani kërcënon
Por as presidenti iranian, as këshilltarët e tij nuk i marrin seriozisht kërcënimet e Uashingtonit, raporton eksperti për Iranin, Jon Lee Anderson, i gazetës javore amerikane "The New Yorker", pas një interviste të gjatë me presidentin iranian.
"U ktheva, thënë hapur, i dëshpëruar, tepër i dëshpëruar nga Teherani..."
Edhe iranianët i kanë mbi tavolinë të gjitha mundësitë ushtarake kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, kundërpërgjigjet presidenti Ahmadinexhad. Avionin pa pilot iranian me rreze të gjatë veprimi, deri në 1000 kilometra ai e prezantoi si korrier të vdekjes. Për ekspertët e Iranit në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë është e qartë: edhe sikur demonstrimi i avionit pa pilot të jetë thjesht spektakël propagandistik dhe ai faktikisht është një teneqe pa vlerë, efekti ndaj Izraelit është fatal:
"Ne gjendemi në një lojë të frikshme", thotë një opinionist i radios kombëtare amerikane, NPR.

Ende hapësirë veprimi përmes sanksioneve dhe negociatave
Është gati e sigurtë që Izraeli që në fillim të vitit të ardhshëm do të sulmojë repartet atomikë iranianë, po qe se Irani do ta vazhdojë programin e tij atomik, shkruan eksperti për Izraelin, Jeffrey Goldberg, në numrin e shtatorit të revistës amerikane, "The Atlantic". Obama dhe shtabi i tij po përpiqen të bindin Izraelin se Iranit i duhen një deri tre vjet për prodhimin e armëve atomike. Dhe se ka ende hapësirë veprimi përmes sanksioneve dhe negociatave. "Po qe se Obama ia bën të qartë Izraelit pa ekuivoke se ai në asnjë rrethanë nuk dëshiron një sulm kundër Teheranit, atëherë Tel Avivi do ta mendojë dy herë sulmin ushtarak", mendon eksperti i Izraelit, Goldberg. Por askush nuk e di, nëse Obama do t'i nxjerrë Izraelit kartën e kuqe. Çështja nuk është vendosur ende në Shtëpinë e Bardhë, mendon Goldberg.

Ruajtja e monumenteve fetare e kulturore serbe

Bekim Shehu

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse janë të vendosur të vazhdojnë procesin e bartjes së përgjegjësive te policia e Kosovës. Kisha ortodokse serbe thotë se akoma nuk janë krijuar kushtet që policia e Kosovës të ruajë objektet Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë shprehen të vendosur që të vazhdojnë procesin e bartjes së përgjegjësive te policia e Kosovës për ruajtjen e disa monumenteve fetare e kulturore serbe. Policia e Kosovës është e gatshme të sigurojë objektet fetare serbe. Mirëpo përfaqësues të kishës ortodokse serbe thonë se akoma nuk janë krijuar kushtet që policia e Kosovës të ruajë objektet fetare ortodokse.

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë thonë se bartja e përgjegjësive te policia e Kosovës për të garantuar sigurinë e objekteve fetare dhe kulturore serbe në Kosovë do të vazhdojë. Sipas tyre kjo po bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë faktorët relevantë duke përfshirë edhe udhëheqësit e manastireve ortodokse.
Kisha nuk është dakord
Disa nga udhëheqësit e manastireve nuk pajtohen që siguria përreth objekteve fetare të bëhet nga policia e Kosovës. Sava Janjiq, Zëdhënësi i Manastrit të Decanit, dëshiron që ky objekt fetar i rëndësisë së veçantë të vazhdojë të ruhet nga trupat e NATO-s. Ai thotë se në fund të vitit të shkuar forcat paqeruajtëse e kanë njoftuar se në kuadër të shkurtimeve të trupave të NATO-s nga Kosova, do të fillojë edhe procesi i transferimit të kompetencave nga KFOR-i te policia e Kosovës, por në mënyrë graduale.

“Ne kemi paraqitur qëndrimin tonë se ky është një vendim i hershëm, pasiqë nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme, duke marrë para sysh se kemi të bëjmë edhe me një problem politik. Ne kemi vizituar edhe Brukselin, Romën e Parisin për të shprehur jopajtueshmërinë tonë me këtë vendim, si dhe disa herë kemi takuar komandantin e KFOR-it, me të cilin kemi biseduar dhe kemi shprehur qëndrimin, se me këtë vendim siguria jonë do të rrezikohet.” thotë Sava Janjiq.
Nëntë prona të kishës me status special
Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në një komunikatë të shkruar thonë se janë nëntë prona me status të caktuar special që më herët është dashur të ruhen nga KFOR-i. Ato janë monumenti i Gazimestanit, manastiri i Graçanicës, manastiri i Budisavcit, manastiri i Goriocit, manastiri i Zoçistes, manastiri i Kryeengjëjve, manastiri i Deçanit, manastiri i Devicit dhe Patrikana në Pejë.

Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s ka vendosur më 9 korrik, që për shkak të situatës së mirë të sigurisë ka ardhur koha që të transferohet përgjegjësia e ruajtjes së manastireve të Graçanicës, Budisavcit, Goriocit dhe Zoçistes tek Policia e Kosovës, por në mënyrë graduale. Për tri manastire të tjera do të vendoset më vonë. Sipas zyrtarëve të KFOR-it Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka qenë e informuar gjatë tërë procesit të vendimmarrjes.
Janjiq: "Më së miri manastiret t'i sigurojë KFOR-i"
Mirëpo Sava Janjiq, zëdhënësi i Manastirit të Decanit, nuk pajtohet që ka ardhur koha, që forcat paqeruajtëse të bartin përgjegjësitë te policia e Kosovës për ruajtjen e objekteve fetare serbe. “Ne konsiderojmë se është më së miri që manastiret t'i sigurojë KFOR-i dhe jo policia e Kosovës, sepse ende nuk është vendosur një besueshmëri e plotë te policia e Kosovës, edhe pse përpiqemi të kemi raporte korrekte. Por definitivisht kemi nevojë për prani ndërkombëtare edhe për një periudhë kohore, sepse kjo çështje ende është herët të zgjidhet në nivelin lokal”, thotë Sava Janjiq.

Policia e Kosovës e gatshme të marrë përgjegjësitë
Zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se ata janë të gatshëm për ruajtjen e objekteve kulturore e fetare serbe dhe janë në pritje të hapave të tjetër nga KFOR-i. Baki Kelani, zëdhënës si policisë së Kosovës, thotë për programin tonë.
“Ky veprim i policisë së Kosovës reflekton edhe në situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë dhe besimin, që KFOR-i ka te policia e Kosovës. Gradualisht të gjitha përgjegjësitë për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare serbe është duke i bartur te policia e Kosovës. Policia e Kosovës ka kapacitete njerëzore dhe profesionale, që të marrë nën përgjegjësi sigurimin e te gjitha objekteve, që ende gjenden nën sigurinë e KFOR-it”, thotë Baki Kelani. Që nga viti 1999 në listat e organeve të sigurisë përfshiheshin 176 objekteve fetare e kulturore, të cilat duhej siguruar. Hapësira përreth secilës nga këto objekte cilësohet si zonë e mbrojtur me pakon e Marti Ahtisarit. Brenda këtyre hapësirave ndalohet çdo zhvillim industrial, ndërtimet, ose zhvillimet komerciale.

Bazuar në ligjin për trashëgiminë kulturore fetare dhe obligimet e dalë nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të të emëruarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, përgjegjësitë për sigurimin e Manastirit të Graçanicës prej sot, nga trupat e KFOR-it janë bartur tek Policia e Kosovës. Policia e Kosovës, nderkohë siguron 174 objekte kulturore fetare dhe deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident sa i përket sigurimit të këtyre objekteve.

25 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›