Ivanaj: “Karta e identitetit, me elementët e kartës së shëndetit”
Karta e shëndetit tashmë është një element kryesor i kartës së identitetit. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, bëri të ditur se karta e identitetit ka në përbërjen e saj disa numra që janë elementët e kartës së shëndetit. Kështu, të gjithë personat që pajisen me kartë identiteti duhet të jenë të pajisur me të kur të drejtohen për të kryer vizitë te mjeku, pasi dosja mjekësore e secilit hapet nëpërmjet numrave që janë të shënuar në kartë. Pacientët e siguruar do të pajisen me kartat e shëndetit, ku do të jenë të informatizuara të gjitha të dhënat për sëmundjet e tyre. Çdo pacient do të ketë kartën e tij shëndetësore, ku do të pasqyrohen të dhënat e sëmundshmërisë. Tashmë karta e identitetit është bërë fakt i kryer dhe të gjithë qytetarët po aplikojnë për pajisjen, ku do të kenë dhe kodin shifror që tregon të dhënat shëndetësore. Dje filloi shpërndarja e kuponave për kartat e identitetit në sportelet e Postës Shqiptare. Procesi ishte pezulluar dy ditë më parë nga mungesa e kuponave, por ditën e djeshme ka filluar shpërndarja e tyre. Sipas informacioneve kanë ardhur në zyrat e postave 20 mijë kupona që do t’u shpërndahen aplikantëve për kartat e identitetit. Vetëm rreth mesditës janë tërhequr rreth 11 mijë kupona nga qytetarët. Qytetarët me kuponin përkatës do të drejtohen në zyrën e ngritur pranë njësisë bashkiake përktatëse për të bërë aplikimin. Nga koha e realizimit të kësaj procedure, qytetarit i duhen 2 javë për të marrë në dorë kartën e tij të identitetit. Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Goreja, ka bërë të ditur për të gjithë qytetarët që ata mund të tërheqin kupona edhe ditën e shtunë e të diel. “Sportelet janë të hapura çdo ditë të javës, edhe të shtunën, edhe të dielën, nga ora 7 e gjysmë e mëngjesit deri në 7 e gjysmë të darkës, vetëm të dielën 8 deri në 3”, - u shpreh Goreja. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, sqaron se që prej ditës së enjte janë hedhur në treg sasi të konsiderueshme të kuponave për aplikimin për pajisjen me kartën e identitetit. Sipas tij, qeveria po monitoron krejt procesin, pasi është firma nënkontraktore zbatuesja e saj në terren. Teliti tha se në Tiranë nuk do të ketë mangësi të kuponave të pagesës së kartës, ndërsa në rrethet e tjera të vendit procesi pritet të nisë së shpejti.
16 Janar 2009