Dhuna, përjashtohet Tepelena
• Skuadra e Tepelenës është përjashtuar nga çdo veprimtari futbollistike për sezonin 2007-2008.Jetmir Halilaj Komisioni i Disiplinës në FSHF vendosi të përjashtojë këtë skuadër nga aktivitetet kombëtare për shkak të valës së dhunës që përfshiu stadiumin e këtij qyteti javën e kaluar, ku u dhunuan barbarisht gjyqtarët e ndeshjes Tepelena-Pogradeci 1-1. Disiplinori është treguar tejet i ashpër në këtë rast dhe nuk ka toleruar aspak atë ngjarje të shëmtuar, teksa ka ndëshkuar maksimalisht klubin e qytetit jugor, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë. Më 9 shkurt në ndeshjen Tepelena-Pogradeci, fusha e futbollit në fund të takimit u shndërrua në një arenë grushtesh e shkelmash ku viktimat ishin gjyqtarët e ndeshjes, Shkëlqim Balliu dhe Ermal Dërraj, të cilëve iu desh të përballeshin me inatin e kundërshtarëve për barazimin 1-1 që morën në fushën e tyre. Menjëherë pas ndeshjes, kanë qenë futbollistët vendës, ata që kanë sulmuar si të mundnin e sa të mundin gjyqtarin kryesor Balliu dhe pasi “mbaruan punë” me të janë marrë më pas edhe me anësorin Dërraj. Të dy arbitrat janë goditur me grushte dhe me sende të forta, duke u akuzuar nga lojtarët vendës, por edhe nga tifozët, se ishin ata shkaktarët e barazimit. Shkak për këtë ngjarje të pazakontë është bërë anulimi i një goli të tepelenasve në minutat shtesë të ndeshjes, ku lojtarët vendës kanë shënuar në mënyrë të parregullt. Kaq ka mjaftuar që ata ta humbitnin vetëkontrollin dhe t’iu vërsuleshin keqas gjyqtarëve. Forcat e policisë janë detyruar të qëllojnë disa herë në ajër për të shmangur turmën e acaruar, e cila nuk ngopej së lëshuari breshëri gjuajtjesh në adresë të bluzave të zeza, por edhe të lojtarëve e të stafit pogradecar. Kjo nuk është hera e parë që në Tepelenë ka pasur probleme përsa i përket organizimit të një ndeshjeje dhe mbarëvajtjes së saj. Megjithatë FSHF kishte mbyllur shpesh një sy, duke mos dashur që t’i mos i hiqte futbollin këtij qyteti. Gjithçka mori fund të shtunën, kur vetëm të shtënat në ajër të policisë bënë të mundur shpëtimin e dy gjyqtarëve të ndeshjes, të cilët u rrahën paq nga lojtarët dhe tifozët vendës. Komisioni i Disiplinës, i mbledhur dje paradite në FSHF vendosi të mos e tolerojë këtë ngjarje të rëndë, duke ndëshkuar maksimalisht ekipin jugor dhe duke e detyruar atë që të luajë në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm, çka është një dënim i dyfishtë për këtë skuadër. Një vendim i tillë pritej nga FSHF-ja, e cila sinjalet e para për masat anti-dhunë i dha që në rastin e Burrelit një vit më parë, ku vendosi të përjashtonte skuadrën matjane pas dhunimit që iu bë ish-shefit të sektorit të gjyqtarëve, Sulejman Mema.