Kryeprokurorja në SHBA, takime për korrupsionin në “postet e larta”
• TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi disa takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë se objekt i takimeve të kryeprokurores shqiptare në SHBA, kanë qenë teknikat që autoritetet amerikane zbatojnë në luftën kundër korrupsionit, por edhe reforma në Prokurorinë shqiptare dhe ekzekutimi i vendimeve. Ina Rama gjatë vizitës së saj në SHBA shoqërohet nga drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami. “Alice Fisher, ndihmësprokurore e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehu gatishmërinë e saj për të përkrahur zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, kurse z. Carl Alexander, drejtues i Zyrës për Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorëve të huaj, siguroi edhe një herë se përmes përfaqësuesve të saj në Tiranë kjo zyrë do të vazhdojë trajnimin e punonjësve të organeve të drejtësisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë edhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit”, tha zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Sipas saj, në takimin me Daniel Roberts, FBI, u diskutua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes të dyja institucioneve. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e luftimit të krimit të organizuar si dhe të veprimtarive të tjera kriminale, si trafikimi i qenieve njerëzore, parandalimi i korrupsionit apo rastet e abuzimit me postin, u ra dakord për një koordinim më të mirë dhe thellimin e shkëmbimit të informacioneve. Në takimet me funksionarë të tjerë të lartë të Departamentit të Drejtësisë u diskutua edhe për inspektimin e prokurorëve, masat disiplinore, apo dhe zhvillimin e proceseve ndaj atyre prokurorëve, që nuk veprojnë konform ligjeve apo i shkelin ato, si dhe çështje organizative dhe menaxheriale të prokurorive. Gjatë takimeve të ditëve të ardhshme me drejtues dhe funksionarë të tjerë të lartë të prokurorive të disa shteteve të SHBA-ve, do t’u kushtohet rëndësi edhe rasteve të përndjekjes së krimeve që kanë të bëjnë me ambientin apo rastet e mashtrimit.