Ekzekutimi i pronarit të bingos, në hetim vëllai
• Një ditë pas arrestimit, policia i komunikon Luftar Reçit se është person në hetim lidhur me vrasjen vëllait të tij, Agim Reçi, më 18 mars të vitit të kaluar në kryeqytet.Dashamir BiçakuCilësimi i Luftar Reçit si person në hetim për vrasjen e të vëllait, është pohuar për gazetën “Panorama” nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kanë qenë specialistët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve në Policinë e kryeqytetit, ata që i kanë komunikuar dje 38-vjeçarit Luftar Reçi faktin se ai ishte në hetim për vrasjen e vëllait të tij. “Ju jeni një nga personat ndaj të cilëve po zhvillojmë hetime për vrasjen e vëllait tuaj Agim Reçi”, i kanë pohuar të arrestuarit oficerët e policisë. I arrestuari 38-vjeçar banues në Tiranë, me origjinë nga Dibra, ka shtangur kur ka dëgjuar fjalët e hetuesve. Këta të fundit pohuan dje se në hetim për pjesëmarrje në vrasjen e Agim Reçit është edhe Taulant Elezi, 22 vjeç, nip i viktimës. Elezi ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, pas arrestimit të tij për vrasjen e taksistit Veli Mema, për qëllime grabitjeje në periferi të Tiranës.Hetimi për vrasjenTë dhënat e siguruara në rrugë operative nga agjentët e policisë së kryeqytetit, hedhin dyshime se Agim Reçi, 45 vjeç, i vrarë më 18 mars të vitit të kaluar, mund të jetë ekzekutuar nga i vëllai. Luftar Reçi ishte një nga personat për të cilët policia dyshoi që në fillim se mund të ishte përfshirë në vrasjen e të vëllait. Dyshimet e hetuesve janë shtuar edhe më tepër pas varrimit të Agim Reçit, nga të afërmit e tij që banojnë në Bregun e Lumit. Pas vrasjes së 45-vjeçarit, pranë banesës së tij në rrugën e Elbasanit, vëllai i viktimës u largua në drejtim të paditur e, madje, ai nuk kishte kontaktuar as me të afërmit. Burimet e policisë pohojnë se që prej vitit të kaluar, Luftar Reçi ka qëndruar në Bullgari bashkë me të shoqen e tij. Në lidhje me vrasjen e të vëllait, Luftar Reçi u ka pohuar hetuesve se nuk ka gisht në këtë histori. Të dy vëllezërit, më parë, kanë qenë bashkëpronarë të bingo “Ylli”, e cila ka funksionuar pranë njërës prej sallave të Teatrit Kombëtar. Pas zhvendosjes së bingos në një ambient tjetër, ajo iu shit personave të tretë. Konfliktet, sipas burimeve, janë shtuar edhe në lidhje me ndarjen e pasurisë së familjes së tyre. Luftari ka kërkuar një sipërfaqe të konsiderueshme trualli. Më tej, mosmarrëveshjet, mësohet se janë zgjeruar edhe për një sasi borxhesh të pashlyera që Luftar Reçi i kishte të vëllait të tij, Agimit.Vrasja Agim Reçi, 45 vjeç, është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e 18 marsit të vitit të kaluar, nga persona të panjohur në oborrin e pallatit të tij, në rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. Autorët kanë qëlluar pesë herë në drejtim të Agim Reçit, ndërsa tre prej plumbave përfunduan në kokën e viktimës, kurse të tjerët në trup. Biznesmeni mbeti i vdekur në vend. Pas ngjarjes policia administroi në vendin e krimit pesë gëzhoja pistolete, dy predha të kalibrit 7.62 mm. Nga dëshmitë e mbledhura prej hetuesve nuk janë dëgjuar të shtëna apo krisma, ç’ka la të kuptohej se vrasja është kryer me një pistoletë të pajisur me zhurmëshues.Reçi u arrestua për vrasjen dhe djegien e Maksim LalësTIRANE – Luftar Reçi u arrestua tri ditë më parë, i akuzuar për vrasjen e Maksim Lalës. Ai akuzohet se është bashkautor në vrasjen e Maksim Lalës, më 12 maj të vitit 2005, në afërsi të Burrelit. Trupi i Maksim Lalës, 32 vjeç, nga Dibra, u gjet i karbonizuar në automjetin e tij të markës “Opel”, nga disa persona të cilët lajmëruan policinë. Për më tepër se dy vite dosja hetimore e vrasjes së Maksim Lalës u ndoq nga specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Nga këqyrja e trupit të Lalës dhe vëzhgimi i provave në mënyrë analitike, është kuptuar se viktima ishte torturuar për rreth dy orë nga vrasësit. Më pas ai atij i është mbështjellë një thes në kokë dhe është qëlluar me tre plumba në pjesën e pasme si dhe është djegur në makinën e tij.