Vrasja e komisionerëve në 1997, protestë në Ersekë
• Familjarë dhe të afërm të 36-vjeçarit Kastriot Fejzo, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e dy personave dhe tentativës për vrasje të 7 të tjerëve, kanë organizuar dje një protestë në qendër të Ersekës.KOLONJE/ JORGJETA GJANÇI Ata në mënyrë të përsëritur kanë deklaruar se djali i tyre është i pafajshëm dhe se qëllimisht segmente të caktuara të politikës të painteresuara për të zbardhur të vërtetën rreth ngjarjes së 30 qershorit 1997, kanë zhdukur provat që vërtetojnë fajësinë e autorëve të vërtetë të krimit. Njëherësh ata kanë kërkuar që Gjykata e Lartë të urdhërojë rifillimin e hetimeve rreth ngjarjes, me qëllim që të hetohet mbi bazën e provave, fakteve e dëshmive dhe të shkojnë në bangën e të akuzuarve vrasësit. Xhaxhai i Kastriotit Skënder Fejzo, 75 vjeç, duke e marrë fjalën në protestë u shpreh: “Djalin duan të na e prangosin pa faj, ndaj ne nuk do t’ia dorëzojmë qeverisë sikur ta shuajë gjithë fisin Fejzo. Ne presim që Presidenti, Kryeprokurorja dhe Kryeministri të vendosin drejtësi, por po qe se kjo nuk ndodh do të kalojmë edhe në vetëgjyqësi”. Duke folur në këtë protestë vëllai i Kastriotit, Bilbil Fejzo deklaroi se të gjithë në Ersekë e dinë se cilët janë autorët e vrasjeve të 30 qershorit, pasi para sheshit të bashkisë ku ndodhi krimi kishte shumë dëshmitarë. Në vitin 1997 mbetën të vrarë Nako Skupra, 22 vjeç, nga Mollasi për të cilin u tha se u vra aksidentalisht dhe Ilirian Arrapi, 24 vjeç, nga Leskoviku, i cili po hynte në Bashki për të dorëzuar kutinë me materialet e votimit. “Unë me vëllanë Kastriot, xhaxhanë tonë dhe afro 20 burra të tjerë ishim në një kafene te tregu i qytetit, pra shumë larg vendit të krimit, kur dëgjuam krismat dhe na erdhi lajmi i vrasjeve të kryera. Tërë jetën kemi qenë të persekutuar dhe nuk donim të përziheshim ndaj nuk dolëm fare në qendër të qytetit, por shkuam në Starje, ku kishim shtëpinë”, tregon ai. Sipas vëllait të të akuzuarit, gjatë kësaj kohe i vëllai ka qëndruar në shtëpi dhe është marrë me biznes, pa e ditur se çfarë procesi po bëhej ndaj tij. “Po ta dinim që ndaj tij ishte ngritur akuzë për vrasje - deklaroi vëllai tjetër i Kastriotit, Luani, - do të ishim interesuar të paktën të zinim një avokat ose të jepnim ca lek nën dorë dhe ta kishim mbyllur këtë çështje me kohë. Nuk e dinim se çfarë na bëhej në kulisat e policisë dhe prokurorisë”. Për vrasjen e ndodhur 11 vjet më parë u dënuan Adriatik Serjati 18 vjet, (i vetmi i arrestuar), Hysni Dervishi 20 vjet, Roland Hasani 20 vjet, Kastriot Fejzo 18 vjet dhe Spartak Sageri 20 vjet. Në protestën e djeshme reaguan dhe familjarë të të akuzuarve të tjerë, të cilët gjithashtu kërkojnë rihetim të çështjes.