E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna politike e qeverisë nuk kursen as librat



Dhuna në fushatën elektorale tashmë nuk po njeh asnjë limit dhe po merr përmasat e një inkuizicioni politik. Viktimë e verbërisë politike tashmë nuk janë vetëm posterat e grisur, zyrat elektorale të thyera apo aktivistë politikë të dhunuar, por edhe librat shqip. Dje Policia Tatimore ka sekuestruar librarinë “Toena”, e cila ndodhet në një qendër tregtare në autostradën Tiranë-Durrës. Mes librave të sekuestruar kanë qenë edhe librat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste Ben Blushi dhe Fatmir Toçi. Ky i fundit, i cili garon për PS-në në qarkun e Vlorës, është edhe pronari i shtëpisë botuese “Toena”. Sipas Toçit, ky është një sulm i hapur politik për shkak të kandidimit të tij si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili e cilësoi këtë akt një ngjarje të shëmtuar. Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga akte të tilla.

Toçi
Pronari i shtëpisë botuese “Toena”, njëkohësisht kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, e cilësoi aktin e sekuestrimit të librave nga Policia Tatimore si një sulm me prapavijë politike. “Për ngjarjen jam njoftuar nga punonjësit e mi, pasi unë ndodhem për fushatë. Më thanë se punonjësit e Tatimores kanë vajtur dhe kanë sulmuar bankinën promocionale me pretendimin se kjo bankinë nuk ka një numër NIPT-i të dytë. Punonjësve të Tatimores u janë vrarë sytë nga posteri dhe publikimi që po i bëhet librit të Ben Blushit. Ata nuk e kanë duruar dot këtë gjë”, - u shpreh Toçi.
Ai deklaroi se u sekuestruan rreth 100 libra të Ben Blushit, çka tregon qartë se sulmi është politik. “Ky është një sulm politik për të denigruar figurën time dhe biznesin tim. S’ka kuptim të mbahen qëndrime të tilla. Ky është një sulm i hapur politik”, - tha kandidati i Partisë Socialiste.

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar të rëndë aktin e sekuestrimit në një prej qendrave tregtare të librave të shtëpisë botuese “Toena”, e cila i përket kandidatit socialist Fatmir Toçi. Rama tha se kjo është një ngjarje jo vetëm shumë e shëmtuar, por edhe rrëqethëse për Shqipërinë e shekullit të 21-të, në një fushatë elektorale kur ne të gjithë shohim me sytë nga Europa. Rama i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha që të rikthejë librat dhe të heqë dorë nga metoda të tilla regresive. “Ka ndodhur që libra të shkruar dhe të botuar nga deputetë të Partisë Socialiste, nga njerëz të angazhuar në fushatën tonë, në vijën e parë, si Ben Blushi dhe Fatmir Toçi, janë sekuestruar nga xhandarët e Sali Berishës, duke na kthyer mbrapsht, në kohëra të zymta, ku pushteti kishte armik librin dhe kur liria e të shkruarit, liria e të botuarit, liria e të shprehurit ishin të kushtëzuara domosdoshmërisht nga tekat dhe nazet e pushtetit. Është njëra ndër shprehjet më flagrante, më abuzive, më arrogante të një politike të vjetër që duhet të marrë fund, e cila sot arrin të nxjerrë dhëmbët e ndryshkur për të kërcënuar një botë që është bota jonë shqiptare e ditëve të sotme, ku as nuk mund të imagjinohet se mund të qeveriset dhe të mbahet pushteti me metoda të tilla regresive. Unë i bëj apel Sali Berishës të kthejë librat në sergjenet e tyre, të kthejë menjëherë dinjitetin e nëpërkëmbur të librit, të shkrimtarit dhe botuesit, si dhe të kthejë menjëherë ato që ka sekuestruar, që nuk janë mallra dosido, por janë libra. Duke vepruar në këtë mënyrë dhe duke mos reaguar ndaj kësaj mënyre, Sali Berisha tregon se politika e tij është vetëm një shprehje e së shkuarës në të gjitha dimensionet e veta”, - tha Rama.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›