E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen rreziqet ekonomike, dështimet e qeverisë “Berisha”

Agjencia “D&B” publikon raportin për nivelin e riskut të Shqipërisë. Shkaqet janë: kredia, rritja e pagave, e pensioneve dhe efektet e krizës

Shqipëria ndodhet në një situatë të vështirë, sidomos në aspektin ekonomik përsa u përket treguesve të riskut. Perspektiva e afërt e vendit është rrezikuar shumë pas dështimit të qeverisë në marrjen e huas prej 250-300 milionë eurosh dhe prej rritjes për qëllime elektorale të pagave dhe pensioneve. Kësaj situate i shtohet edhe fakti se kriza financiare botërore do të ketë ndikim të thellë mbi ekonominë shqiptare. Alarmi vjen nga agjencia amerikane “D&B” me një eksperiencë 167-vjeçare në tregun e informacionit tregtar dhe që është një nga burimet kryesore të agjencive të rejtingut në botë. Para pak ditësh kjo agjenci ka publikuar raportin e gjendjes së riskut në vend, ku Shqipëria renditet në brezin DB4a, me një tendencë përkeqësuese. Për vlerësimin e riskut përdoren 7 nivele, ku DB7 është më i ulëti, ndërkaq treguesit financiarë për momentin vlerësohen të sigurta, por kërkesa e vazhdueshme e qeverisë për të marrë kredi nga jashtë po çon në rënien e besueshmërisë te agjencitë e rejtingut (rating).
Situata ekonomike dhe tregtare
Në ndryshim nga ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, por edhe nga vetë kryeministri, agjencia e njohur britanike në vlerësimin e riskut e konsideron të dështuar ankandin për marrjen e kredisë 250 milionë euro te bankat e huaja. “Në vazhdim të një ankandi të dështuar nga Ministria e Financave (oferta më e mirë u realizua vetëm 65 për qind të shumës së kërkuar), më 9 prill qeveria njoftoi se ajo mund të marrë hua 250-300 milionë euro nga dy banka tregtare ndërkombëtare”, - thotë raporti i agjencisë “D&B”. Sipas tij, “shenjat e vështirësisë në sigurimin e financimit u ndoqën nga një lajmërim prej FMN-së se autoritetet mund të shmangnin rritjen e pagave dhe pensioneve në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe mund të shtynin në ulje të planifikuar të nivelit të kontributeve të sigurimeve shoqërore”. “Paralajmërimi i Fondit Monetar erdhi edhe pas parashikimeve për rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2009 nga 2-3 për qind në 0-1 për qind (të cilin ne e mendojmë se është pak pesimiste, ndonëse ekzistojnë risqet për më poshtë) midis treguesve se financimi i deficitit të llogarisë korrente akoma mbetet një sfidë”, - përfundon raporti për treguesit ekonomikë dhe tregtarë.
Risku politik
“Zgjedhjet parlamentare që po vijnë, në fund të qershorit, do të jenë një test thelbësor i maturisë së demokracisë së Shqipërisë”, - thotë “D&B”, teksa prezanton risqet politike. Sipas saj, “lufta midis kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama dhe kryeministrit aktual, zotit Sali Berisha, do të monitorohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga BE-ja”. “Verdikti nëse këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme do të ketë një ndikim në marrjen e një vendimi nga BE-ja nëse Shqipëria është gati për të kaluar në hapat e mëtejshëm të integrimit europian”, - thotë raporti i vlerësimit të riskut. Ekspertët e agjencisë së vlerësimit pohojnë se aplikimi për statusin e kandidatit që bëri kryeministri Berisha në muajin prill përgjatë presidencës çeke, nuk është marrë në konsideratë nga BE-ja. Kjo ndodh edhe për faktin se shtete të tilla si Gjermania apo Austria kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në këto rrethana. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, më 1 prill 2009, mund të ndihmojë në nxitjen e stabilitetit brenda rajonit dhe zbatimi i MSA-së me BE-në do të vazhdojë të nxisë që Shqipëria vazhdon të punojë në drejtim të një atmosfere politike më të qëndrueshme dhe të ketë një axhentë politike më miqësore ndaj biznesit”, - thonë ekspertët.
Risku ekonomik
“Ndonëse ka vështirësi në vlerësimin e plotë të performancës ekonomike, për shkak të shkallës së lartë të ekonomisë së “zezë” dhe nivelit të lartë të dërgesave të emigrantëve (remitancat që përbëjnë rreth 15 për qind të GDP-së), të dhënat zyrtare tregtojnë se GDP-ja realisht ka arritur në vitin 2008 në 6%, pavarësisht kapërcimit të inflacionit të shkaktuar nga rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të importit, të tilla si nafta”, - thotë raporti i përcaktimit të riskut. Duke vazhduar më tej thuhet: “Kriza financiare globale do ta prekë thellësisht Shqipërinë, sidomos në tregjet kryesore të eksportit që kanë pësuar rënie, në rrjedhjen e remitancave si dhe në të ardhurat e eksportit; do të vazhdojnë të kenë ndikim negativ te kërkesa konsumatore dhe rritja e brendshme”. “Këtu do të ketë rritje të presionit politik mbi deficitin buxhetor në rritje që i duhet qeverisë për të realizuar premtimet që ka dhënë për rritje pensionesh dhe pagash”, - thonë ekspertët e agjencisë “D&B”.
Trendi përkeqësues
Raporti i agjencisë është pesimist edhe për sistemin financuar në Shqipëri, i cili vazhdon të jetë i dobët, si dhe për vështirësitë që do të dalin nesër në sigurimin e kredive nga burimet e jashtme. “Sistemi financiar mbetet i dobët në rritjen e kostos dhe vështirësive të sigurimit të financimeve të jashtme”, - thonë ekspertët e agjencisë. Sipas saj, “vendimi më i fundit i qeverisë për të kërkuar financimeve të jashtme pas dështimit të ankandit në prill, si dhe qëndrimet nga ministri i Financave se ata do të vazhdojnë të marrin më shumë kredi për të financiar shpenzimet edhe përgjatë vitit tjetër, mund të çojë në rënien e nivelit të pavarësisë së rejtingut nga agjencitë kryesore të vlerësimit; megjithëse niveli i riskut të vendit në tërësi duket i sigurt, aktualisht dhe profili i riskut të vendit është në një trend përkeqësues. Para pak kohësh u publikua një raport i ngjashëm për shkallën e riskut nga një kompani e njohur botërore, të cilën qeveria e interpretoi si vlerësim të suksesshëm të reformave ekonomike dhe financiare.

Hapat ekonomikë të qeverisë përgjatë vitit zgjedhor

Shpenzimet marramendëse për realizimin e autostradës Rrëshen-Morinë, rritja e pagave dhe pensioneve një muaj para zgjedhjeve dhe efektet e krizës e detyruan qeverinë shqiptare që të kërkojë kredi. Pasi kishte marrë disa kredi te bankat vendase apo dhe të huaja për rrugën Durrës-Kukës, OSSH-në apo dhe ndërmarrje të tjera, kësaj radhe qeveria trokiti te bankat e huaja. Njoftimi i ankandit të publikuar nga Ministria e Financave në FT dhe sajtin e saj zyrtar, u shty tri herë pasi asnjë nga bankat nuk u ofrua për dhënien e kësaj shume kaq të madhe. Vetëm gjatë këtij viti u bë e mundur që të finalizohet 60% e shumës prej 300 milionë eurosh, e cila u dha me terma tregtarë nga Dojçe Bank dhe Alfa Bank. Kjo shumë do të përdoret për financimin e shpenzimeve buxhetore. Gjatë këtij viti qeveria bëri të mundur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 maj, përkundër këshillave që dha FMN-ja, e cila kërkoi që të mos merrej një hap i tillë në këtë vit krize. Kjo periudhë përkon me shtimin e frikshëm të shpenzimeve elektorale. Sipas të dhënave, vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2009 janë tejkaluar me 80 për qind fondet e planifikuara për shpenzimet buxhetore.
Ndërkaq, burimi i të ardhurave të siguruara nga shitja e aksioneve të kompanive shtetërore (i deklaruar mbi 250 milionë euro) pritet të përdoret për financimin e buxhetit të shtetit, ndonëse ka pasur edhe deklarime se ato do të përdoren për ish-pronarët, ish-të përndjekurit, shlyerjen e borxhit të jashtëm, etj. Viti 2009 ka nisur edhe me uljen e nivelit të grumbullimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat; kjo për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet biznesi nga kriza financiare, por edhe nga presionet dhe lëshimet përgjatë muajve para zgjedhjeve.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve dhe nga dalja e qeverisë së re, askush nuk e di, përveç ministrit të Financave Bode dhe kryeministrit Berisha sesa lekë ka në arkën e shtetit dhe se sa do të jetë në gjendje shteti të sigurojë vijueshmërinë normale financiare pas 29 qershorit.

Shqipëria sipas agjencisë “D&B”

Shqipëria shtrihet në brigjet e detit Adriatik, me fqinjë; Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Kanali i Otrantos lidh detin Adriatik, detin Jon dhe detin Mesdhe.
Që nga rrëzimi i sistemit komunist në vitin 1991, Shqipëria është drejtuar në mënyrë të alternuar nga qeveritë e udhëhequra nga PD-ja dhe PS-ja. Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimi i organizuar, akoma mbeten problem, ndërsa qeverisja politike, administrimi ligjor dhe shoqëria civile akoma mbeten të pazhvilluara.
Ritmi i reformave ka rritur mundësinë e anëtarësimit në BE dhe Shqipëria ka arritur një nivel të dukshëm të stabilitetit makroekonomik. Në arenën ndërkombëtare, risku politik do të vazhdojë të bjerë në mënyrë të njëtrajtshme me rritjen e stabilitetit rajonal dhe në përvijim të integrimit politik dhe ekonomik të rajonit të Ballkanit në BE.

Kush është D&B

D&B është një nga burimet kryesore të informacionit tregtar dhe të biznesit në botë, duke i bërë kompanitë të afta që të vendosin me besim (Decide with Confidence) për 167 vjet. Të dhënat tregtare botërore të D&B përmbajnë më shumë se 140 milionë të dhëna për biznesin. Database është garantuar për t’u dhënë konsumatorëve informacion cilësor për biznesin. Ky informacion cilësor është baza e zgjidhjeve te konsumatorët për të marrë vendime të rëndësishme. D&B garanton zgjidhje në basë të një standardi të përcaktuar nga nevojat e konsumatorit në nivel global. Konsumatorët përdorin produktet informative të D&B për të rritur të ardhurat, për t’u orientuar drejt rritjes së fitimit për industrisë e profesionistëve te kompanitë kërkimore, drejtuese dhe industritë.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›