Muzeu i Shkencave në prag të shkatërrimit
Muzeu i Shkencave të Natyrës, i cili ruan mbi 100 mijë specie të rralla, tashmë rrezikon seriozisht zhdukjen. Pas reagimeve të shumta për çështjen në fjalë, së fundmi këtij muzeu në prag rrënimi i janë afruar përfaqësues të Rinisë Aktive, të cilët i bëjnë qeverisë dhe strukturave përkatëse apel për të shpëtuar këtë pasuri kombëtare. Ndërkaq përmbarimi ka lënë afat datën 24 qershor, kohë në të cilën të gjitha speciet duhet të largohen prej godinës, pasi trualli do tu kthehet ish-pronarëve.
Por, përballë këtij urdhri të formës së prerë, ende nuk dihet se në çfarë godine do të rivendosen ato, dhe nëse kjo bëhet e mundur një pjese e mirë species rrezikojnë të prishen gjatë transportit. Ky konflikt ka disa kohë që ka qenë prezent dhe që po i kanoset një shkatërrim muzeut të vetëm të shkencave që kemi në vendin tonë. Ajo që i shqetëson më së shumti punonjësit e tij është shkatërrimi i specieve të rralla. Aty ruhen fosile si dhe mjaft kampionë të gjallesave të cilat sot nuk ekzistojnë më në vendin tonë ose janë drejtë zhdukjes. Gjatë transportit të tyre në ambiente të tjera ata mund të zhduken edhe nga muzeu për shkak të dëmtimeve që mund të pësojnë.