E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunë ndaj forcave të Rendit në Korçë dhe Durrës, katër në pranga



Forcat e Rendit sërish bien pre e dhunës nga persona të ndryshëm. Disa punonjës policie në Korçë dhe Shijak janë përballur me fyerje, presione dhe ushtrim dhune, gjë që ka sjellë arrestimin e katër personave. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:30, në qendër të qytetit, te bulevardi “Republika” të rinjtë Fredi Sali, 42 vjeç, Ilirjan Gjika, 28 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Lagjen Nr. 10 të Korçës dhe Erdi Jazexhi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 15 Korçë, janë përballur me patrullën policore të Qarkullimit Rrugor dhe mes palëve ka nisur një konfrontim. Policia këmbëngul se tre të dyshuarit, kanë sharë, fyer dhe kundërshtuar me dhunë në krye të detyrës, në bashkëpunim mes të treve, punonjësit e seksionit të Qarkullimit rrugor dhe më tej, forcat e Policisë së Rendit të Komisariatit Korçë, që i erdhën si përforcim patrullës rrugore. Në këto kushte, tre të dyshuarit u arrestuan dhe tani gjenden përballë akuzave të “fyerjes për shkak të detyrës” dhe “kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë në krye të detyrës”. Të ndaluarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm dhe se janë gjendur nën sjellje të ashpër policore. E njëjta ngjarje ndodhi dy ditë më parë edhe në qytetin e Shijakut. Sipas burimeve policore, dy ditë më parë nisi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Denis Avdullai, lindur dhe banues në Shijak. Ai është denoncuar nga punonjësi i Policisë I. D., i cili pretendon se ditën e shtunë, rreth orës 23.45, duke qenë Përgjegjës i Patrullës së Policisë në qytetin e Shijakut, i ka kërkuar të ndalojë për identifikim shtetasit Denis Avdullai, i cili po udhëtonte me një motor tip “Skuter” pa targa. Në këtë moment Avdullai ka kundërshtuar, fyer e kanosur me fjalë efektivin e Rendit. Gjatë këtij viti kanë rënë viktimë e dhunës me dhjetëra forca policie.

Rrihet kryeplaku, shpallet në kërkim 34-vjeçari

SHKODËR - Një 34-vjeçar ka keqtrajtuar kryeplakun e zonës, i cili ka përfunduar me fraktura të rënda në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por më pas është shpallur person në kërkim. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se rreth orës 23:30 të ditës së dielës është paraqitur në mjediset e spitalit me dëmtime të rënda në kokë dhe trup shtetasi Ardjan Doçi, lindur dhe banues në fshatin Stajkë të komunës së Bushatit. Sipas tyre, 38-vjeçari Doçi është me detyrë kryeplak në fshatin Stajkë. Doçi ka bërë kallëzim penal, ndaj bashkëfshatarit të tij Kastriot Gavoçi, të cilin e akuzon si autor të dhunës. Burimet policore bëjnë të ditur se Gavoçi është shpallur person në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Bie në pranga pas 7 vjetësh 44-vjeçarja për tentativë vrasje

FIER - Një 44-vjeçare nga Mallakastra, e shpallur në kërkim prej 7 vjetësh, u ndalua mbrëmjen e së dielës nga policia, pasi akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se "Merita Lamaj, lindur në Dukas të qytetit të Patosit dhe banuese në Belishovë, u ndalua rreth orës 19:30 të dy ditëve më parë, pasi është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me 10 vjet burg për veprën penale të "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë". Sipas Policisë, ngjarja për të cilën akuzohet 44-vjeçarja Lamaj ka ndodhur rreth 12 vite më parë, në qytetin e Patosit, kur ajo me gjakftohtësi dhe vetëdije të plotë ka tentuar të vrasë shtetasin Islam Karemani; po nga ky qytet, për motive të dobëta.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›