E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrumbohen 400 rrënjë ullinj në periferi të Peqinit



PEQIN - Flakët e një zjarri kanë përfshirë mesditën e djeshme kurorën e mbjellë me ullinj në qytetin e Peqinit, ndërkohë që forcat zjarrfikëse po punojnë për vënien nën kontroll të tij. Burime të Policisë së Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit bënë të ditur se "zjarri i rënë rreth orës 12:50 të ditës së hënë ka përfshirë kurorën e mbjellë me ullinj në afërsi të lagjes "Stacioni i trenit", duke shkaktuar deri tani djegien e rreth 400 rrënjëve me ullinj". Mësohet se për t’i ardhur në ndihmë forcave zjarrfikëse të Peqinit në vendngjarje janë nisur edhe dy makina të tjera të qytetit të Elbasanit. Sipas grupit hetimor të ndodhur në vendngjarje mendohet se zjarri mund të jetë ndezur qëllimisht, ndërkohë që po hetohet për kapjen e autorit.

Prangoset për bishtin e cigares, i vuri flakën pronës

KRUJË – Një bisht cigareje i hedhur në mënyrë të shkujdesur është bërë shkas që një 36-vjeçar të përfundojë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mesnatën e së shtunës kanë ndaluar shtetasin Shkëlqim Baruni, lindur dhe banues në Krujë. Sipas tyre, “dyshohet se tri ditë më parë, teksa Baruni ndodhej në lagjen “Bojë”, ka hedhur një bisht cigareje në një vend me ferra, e cila ka përfshirë gjithë zonën në flakë. Burimet policore shprehen se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në pronën e shtetasit Sh. Z.. Tashmë ndaj 36-vjeçarit Baroni kanë nisur hetimet në lidhje me veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.

Liri nën mbikëqyrje për të miturin vrasës

MILOT – 13-vjeçari i cili kreu vrasjen e bashkëmoshatarit të tij pak ditë më parë në Milot është nxjerrë nga qelitë e paraburgimit të Kurbinit dhe është dërguar në shtëpi, ku do të qëndrojë nën mbikëqyrje të policisë. Burimet zyrtare të Policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se i mituri Qerim Brahja do të qëndrojë nën kontroll derisa të dalë para gjykatës, ku do të gjykohet për krimin e vrasjes. Sipas burimeve nga Komisariati i Kurbinit, Brahja është liruar me urdhër të prokurorit të çështjes, pasi ka qenë tepër i rënduar psikologjikisht. Ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë më parë në komunën e Milotit, kur 13-vjeçari vrau aksidentalisht shokun e tij Edis Shijaku teksa po shkonin bashkë në një dasmë. Pikërisht në momentin kur po festohej i mituri ka qëlluar me një armë zjarri tip pistoletë, plumbi i së cilës ka qëlluar në kokën shokun e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Hetimet e para nxorën në pah faktin se krimi është kryer në rrethana aksidentale, teksa i mituri po luante me armën, pasi ai nuk kishin dijeni nëse arma ishte e mbushur.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›