E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama në asamblenë e Shoqatës Ndërkombëtare të Prokuroreve



TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mori pjesë në Asamblenë vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve, e cila u zhvillua me datat 27-31 Gusht në Singapor, me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit si dhe në fushat ku përdoret teknologjia informatike si manipulimi i të dhënave dhe i llogarive bankare, vjedhjet me mashtrim të klientëve që bëjnë blerje përmes internetit, etj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur të hënën për gazetën se në forumet dhe grupet e punës të asamblesë u diskutua për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, sepse krimi kompjuterik nuk njeh kufij dhe se shpesh në të janë të përfshirë shumë persona, që jetojnë në vende të ndryshme dhe komunikojnë përmes internetit. Gjatë asamblesë pjesëmarrësit theksuan se ky krim me përmasa globale kërkon edhe një përgjigje globale nga ana e organeve të ndjekjes ligjore. Gjatë ditëve të punimeve të asamblesë Kryeprokurorja Rama pati takime të veçanta me prokurorë të rajonit si dhe me prokurorë të vendeve ku ka emigracion të madh nga Shqipëria, në të cilat u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe këmbimit të informacioneve me interes reciprok. Po ashtu, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pati edhe një takim të posaçëm pune me përfaqësuesit e EUROJUST-it, gjatë të cilit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit të Prokurorisë së Shqipërisë me ato të vendeve të BE-së si dhe përsosjen e veprimtarisë së prokurorisë shqiptare sipas standardeve të BE-së.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›