Rrëmbehet 19-vjeçari, prangosen dy prej katër pengmarrësve
DURRËS – Katër të rinj kanë marrë peng një 19-vjeçar në kërcënimin e armëve duke e keqtrajtuar, por më pas forcat e Rendit kanë arritur të ndalojnë dy prej dëshmitarëve në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se kanë ndaluar shtetasit Konti Mano, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 9 në Durrës dhe bashkëqytetarin e tij Juljan Dafa, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 11. Sipas burimeve policore, janë shpallur në kërkim edhe shtetasit Kosta Mano dhe Eno Naçi. Ndaj dy të rinjve ka mbërritur një denoncim nga shtetasi G. C., 19 vjeç, i cili ka deklaruar se është mbajtur peng për 1 orë në banesën e 20-vjeçarit Konti Mano dhe është keqtrajtuar nën presionin e armëve. Dy të ndaluarit dyshohet se kanë qenë dëshmitar në vendngjarje, ndërkohë që po punohet për kapjen e dy autorëve të këtij rrëmbimi.
Ngjarja
Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 18:00, në Lagjen Nr. 9 të qytetit të Durrësit katër të rinj kanë zbritur nga makina dhe kanë marrë peng shtetasin G. C., banues në Lagjen Nr. 9 të qytetit bregdetar. Sipas burimeve policore grupi i të rinjve ka qenë i armatosur. Ata e kanë futur në mjetin e tyre 19-vjeçarin dhe më pas e kanë dërguar në një apartament. Në bazë të dëshmive të dhëna nga i keqtrajtuari, ai është dërguar në banesën e shtetasit Kosta Mano, i cili bashkë me Eno Naçin ka qëlluar me mjete të forta për rreth një orë pengmarrësin. Njoftimi zyrtar bën të ditur se të rinjtë, pasi e kanë rrahur, e kanë rikthyer sërish në banesën e tyre.
Arrestimi
I dhunuari është drejtuar në mjediset e komisariatit të policisë ku ka bërë denoncimin. Menjëherë ka nisur operacioni. Në mesditën e së dielës, rreth orës 12:00, forcat e Rendit arritën të ndalojnë 20-vjeçarin Konti Mano dhe 24-vjeçarin Juljan Dafa. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, dy të rinjtë nuk janë dënuar më parë. Pas dëshmive të para, policia shpalli në kërkim edhe dy autorët e tjerë të kësaj ngjarje. Kosta Mano dhe Eno Naçi janë personat që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj G.C. Burimet e Policisë vendore bëjnë të ditur se nga hetimet e para dyshohet se dy të ndaluarit kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje dhe ata u prangosen pasi dyshohet se kanë fshehur provat materiale të veprës penale. Sipas njoftimit zyrtar, “materialet për veprën penale të ‘heqjes së paligjshme të lirisë, të kryer në bashkëpunim’ dhe ‘mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’ në ngarkim të shtetasve Kosta Mano dhe Eno Naçi i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit”. Ndërsa shtetasit Konti Mano dhe Juljan Dafa po hetohen për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, të kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet paraprake, të rinjtë janë përfshirë në konflikt dy ditë më parë në mjediset e një lokali në qytetin bregdetar, pasi dyshohet se 19-vjeçari ishte lidhur me një vajzë. Kjo është bërë shkas që katër të rinjtë ta marrin peng dhe ta keqtrajtojnë për rreth një orë në banesën e shtetasit Kosta Mano.
Tri ditë më parë janë ndaluar tre persona në qytetin e Shëngjinit, pasi dyshohet se janë autorë të rrahjes dhe marrjes peng të shtetasit Vladi Serefaj. 29-vjeçari Seferaj ishte përfshirë në një konflikt me shtetasin Jak Mikaj, 40 vjeç. Më pas Miaj, i ndihmuar nga kushëriri i tij Fabjan Mikaj dhe shtetasi Edinjo Nikaj, 25 vjeç, banues në Shkodër, kanë marrë peng Vladi Seferajn dhe kanë ushtruar dhunë në mjetin që kishin në përdorim. Një telefonatë e mbërritur në Policinë e Lezhës ka bërë që forcat e Policisë të nxjerrin nga kthetrat e pengmarrësve 29-vjeçarin.
AUTORËT E PENGMARRJES
Konti Mano, vjeç 20 – i arrestuar
Juljan Dafa, 24 vjeç – i arrestuar
Kosta Mano, 24 vjeç, i shpallur në kërkim
Eno Naci, 20 vjeç, i shpallur në kërkim
2 Shtator 2008