Operacioni policior, asgjesohen 40 rrenje Cannabis sative
Gjirokastër: Dje rreth orës 16.00, nga ana e Specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Drogës në në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër,në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një parcelë të mbjellë me bimë narkotike, kanë ushtruar një kontroll në afërsi të “Fidanishtja ” e fshatit Mashkullorë, rreth 300 metra poshtë rrugës nacionale Gjirokastër-Subash. Si rezultat i këtij kontrolli u bë e mundur evidentimi i një parcele të hapur rishtas për të mbjellë bimë narkotike, në mes të pemëve të larta. Në këtë parcelë u evidentuan 40 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 290 centimetra të larta. Bimët janë asgjësuar me anë të djegies ku disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale. Nga provat materiale të sekuestruara në vendngjarje si dhe informacionet e marra më parë në rrugë operative u bë e mundur identifikimi dhe ndalimi i një shtetasi si autor i dyshuar për këtë vepër. 58 vjeçari Kristofor Duli, , lindur në fshatin Mashkullorë dhe banues në lagjen “18 Shtatori” Gjirokastër, është arrestuar si i dyshuar për mbjelljen dhe kultivimin e bimëve.
Dy adoleshente tentojnë vetëvrasjen, ndodhen në gjendje të rëndë në spital
Durrës - Dy tentativa për vetëvrasje brenda 24 orëve, ndërsa dy personazhet janë adoleshente, banuese në Durrës. Ditën e shtunë rreth orës 13:00, është dërguar ne Spitalin Ushtarak Tiranë e helmuar një 18 - vjeçare, banore e Durrësit. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se kjo shtetase ka pire substancë helmuese të llojit fostoksinë dhe aktualisht gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Një ditë më vonë rreth orës 08.30, një 16 - vjeçare po nga rrethi i Durrësit, ka pirë lëndë helmuese që përdoret për insekte dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. “Nga ana jonë u kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - ka njoftuar zyrtarisht policia.
Në pranga hajduti “mjeshtër” i kartave telefonike
Shkodër - Shkonte në dyqane dhe porosiste me “shumicë” karta telefoni. Pas pak porosiste sheqer e oriz, por ndërsa shitësit shkonin të merrnin sheqerin, hajduti ja mbathte me kutinë e kartave në xhep. Dy ditë më parë rreth orës 22.00 policia e Shkodrës arrestoi Anton Markun, vjeç 45, lindur dhe banues ne lagjen “Tre Heronjtë”. Ndalimi i tij u bë pasi ky person ka qenë i shpallur në kërkim si pasojë e një serie vjedhjesh të qindra kartave telefonike nëpërmjet metodës së mashtrimit të shpikur prej tij. Kapja e të dyshuarit u bë e mundur nga ana e seksionit të luftës kundër krimeve ndaj pronës, në një lokal në lagjen Salo Halili, Shkodër. Materialet në ngarkim të shtetasit Anton Marku iu kaluan Prokurorisë së Rrethit për veprën penale të “Vjedhjes”.
Ndroq, 8 - vjeçari identifikohet si zjarrvënësi i pyllit
Tiranë - Në orët e pasdites së ditës së diel shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 morën njoftimin se në fshatin Çelebërzezë, komuna Ndroq, në një pjesë të pyllëzuar në kodër ka rënë zjarr. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni u shkua në vendngjarje. Për shkak të terrenit të vështirë forcat policore me ndihmën dhe të banorëve arritën të izolojnë dhe më pas të shuajnë zjarrin në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nga veprimet e para hetimore rezulton se autor është shtetasi i mitur 8 vjeçari A.G, , lindur dhe banues tek Ura e Beshirit, i cili duke luajtur me një shkrepse, ka shkaktuar aksidentalisht rënien e zjarrit, ku për pasojë janë djegur disa hektarë me pyje dhe rrënjë ulliri. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme Prokurorisë.
Gjendet në mes të Tiranës kamioni i vjedhur në Kosovë
Në Rrugën e Durrësit, pranë servis “Morina”, është gjetur dje i braktisur mjeti tip Benz, kamion me targa 507 KS 689, pronë e një shtetasi kosovar. Specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme kryen veprimet procedurale, ku rezultoi se mjeti i mësipërm është vjedhur në Kosovë me datë 30 Gusht2008, rreth orës 01:30. Sakaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dyshohet se automjeti mund të jetë vjedhur nga një grup personazh i specializuar në vjedhjen e automjeteve në Kosovë e shitjen e tyre në Tiranë dhe anasjelltas. Dyshohet se pjesë e rrjetit mund të jenë edhe disa shtetas kosovarë të cilët bashkëpunojnë me eksponentët shqiptarë të bandës.
2 Shtator 2008