E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë policore mbi të arrestuarit, pandehurit, protestuesit

29/03/2005  Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, me titull “Mbështetja e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë për vitin 2004-2005”, u bë publik dje në Uashington. Raporti i paraqitet çdo vit Kongresit nga Departamenti i Shtetit dhe ka si synim të njoftojë mbi veprimet e ndërmarra nga qeveria amerikane për të inkurajuar respektin për të drejtat e njeriut.

Problemet

Qeveria shqiptare, në përgjithësi, respekton të drejtat e njeriut të qytetarëve të vet, megjithatë ka pasur probleme serioze. Pati një numër rastesh të dokumentuara, në të cilat policia rrahu dhe abuzoi të akuzuarit, të ndaluarit dhe të burgosurit. Kushtet në burgje vazhdojnë të jenë të rënda. Policia në disa raste arrestoi dhe paraburgosi persona në mënyrë arbitrare. Mbajtjet për një kohë të gjatë para gjyqit dhe mosndëshkimi zyrtarisht, ishin probleme. Qeveria herë-herë shkeli të drejtat e jetës private. Është njoftuar gjithashtu se policia përdori forcë të tepruar kundër protestuesve. Veprime të ndryshme individuale, në shumicën e rasteve të lidhura me gjakmarrjen, rezultuan në disa vrasje dhe në krijimin e një atmosfere frike në disa rajone të vendit. Diskriminimi në shoqëri kundër pakicës rome, komunitetit egjiptian dhe homoseksualëve vazhdoi. Dhuna dhe diskriminimi kundër grave dhe fëmijëve ishin probleme serioze; edhe punësimi i të miturve ishte problem. Trafikimi i personave vazhdoi të ishte problem, rreth të cilit qeveria mori disa masa.

Strategjia

Në raport thuhet se strategjia e Amerikës për nxitjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut u përqëndrua gjatë kësaj periudhe në inkurajimin e Shqipërisë, për të vënë në zbatim reformat e nevojshme për të hyrë në institucionet euroatlantike si dhe në mbështetjen e kontributit të Shqipërisë për të luftuar terrorizmin në botë. Veçanërisht, Shtetet e Bashkuara u përqëndruan në përmirësimin e administratës zgjedhore dhe transparencës, duke zgjeruar pjesëmarrjen e qytetarëve në çështjet publike, forcimin e institucioneve legjislative dhe civile, duke përfshirë median e pavarur si dhe në përmirësimin e aftësive të qeverisë për të luftuar krimin, sidomos krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikun e qenieve njerëzore.

Shtetet e Bashkuara dërguan zyrtarë të ndryshëm qeveritarë dhe joqeveritarë të Shqipërisë në programe ndërkombëtare për të mësuar më shumë rreth luftës kundër trafiqeve, luftës kundër pastrimit të parave, tolerancës fetare, administrimit të gjykatave e të tjera. Shtetet e Bashkuara financuan disa nisma të organizatave lokale kundër trafikimit, korrupsionit, mediave të pavarura, arsimit qytetar dhe pjesëmarrjes në proceset qeverisëse. Mes disa sukseseve kryesore të Shqipërisë është miratimi i disa ligjeve të rëndësishëm, që të gjithë me mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara, për të luftuar krimin e organizuar, financimin e akteve terroriste, për të mbrojtur dëshmitarët e të tjera. Qeveria shqiptare arriti gjithashtu me sukses të gjykonte zyrtarë dhe forca policore nën akuzat për abuzimin e detyrës dhe mbajtjen përgjegjës të trafikantëve. Grupe të mbrojtjes së qytetarëve, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, luajtën një rol më të rëndësishëm për të ekspozuar korrupsionin dhe keqadministrimin në qeveri. Shtetet e Bashkuara janë angazhuar aktivisht që Shqipëria të mbajë zgjedhje demokratike. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Shqipërisë që të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare këtë vit. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë gjithashtu ndihmë teknike për ministrinë e qeverisë lokale dhe decentralizimit, për komisionin qendror të zgjedhjeve dhe qeveritë lokale në shumë aspekte të procesit të zgjedhjeve, si për shembull përgatitja e regjistrimit të votusve, listave të zgjedhësve, hartimi i posaçëm i zonave zgjedhore dhe rifreskimi i regjistrave të popullsisë civile. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për të nxitur liritë fetare në Shqipëri, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të zgjidhë çështjen e pasurive fetare dhe t’u kthejë pasuritë kishtare organizatave që i humbën ato nën sundimin komunist. Ky dokument i përvitshem hartohet në bazë të një ligji të vitit 2002 të Kongresit, dhe ndryshe nga raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në secilin vend të botës, aty vihet theksi te përpjekjet e qeverisë amerikane për të nxitur respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokracinë në 101 vende dhe etnitete, të cilat kanë shkeljet më të rënda në këto fusha.

Marrë nga nga “Zëri i Amerikës”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›