E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostituta 20-vjeçare që u kthye në tutore

29/03/2005  U trafikua në moshën 14 vjeçe në Itali, ka dy vajza që rriten pa prindër

TIRAN˖ Sëmundja epileptike e ka shpëtuar 20-vjeçaren, Valmira Mahmutaj, nga arresti me burg pa afat. Gjyqtari i gatshëm i Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, vendosi të lërë në arrest shtëpie të pandehurën Valmira Mahmutaj, pas kërkesës që bëri prokurori i çështjes, Bardhok Lleshi.

Historia

Mahmutaj është nga fshati Karkanjoz i Beratit. Është nëna e dy vajzave të vogla të lindura nga bashkëjetesa me tutorët e saj në Itali. Njëra prej fëmijëve të Valmirës është dorëzuar në jetimoren e Torinos menjëherë pas lindjes, ndërsa vajza tjetër arriti të lindë në Berat dhe tani është nën kujdesin e prindërve të saj. Është kapur disa herë nga policia italiane dhe përsëri me dokumente false ka përfunduar në rrugët e Torinos. U ndalua nga policia tri ditë më parë, në fshatin e saj të lindjes, me akuzën e trafikimit të fëmijëve. Ndërsa urdhri i ndalimit për të pandehurën ishte lëshuar që nga nëntori i vitit 2004, pas kallëzimit që kishin bërë dy vajza 16 vjeçe, nga Berati. Kërkesa e prokurorit për ta lënë të pandehurën në arrest shtëpie, u bë pas një urdhri të lëshuar nga eprorët. Arsyet që Mahmutaj i shpëtoi qëndrimit në qeli janë disa. E para, është fakti se gjatë kohës që ka qëndruar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ka shfaqur shenja të sëmundjes epileptike (ose si quhet në gjuhën e popullit, sëmundja e tokës). Arsyeja e dytë lidhet me pendesën e saj. Ndërsa nuk është anashkaluar edhe fakti që, 20-vjeçarja është nënë e dy vajzave të mitura.

Bashkëpunimi

Mahmutaj është ndaluar nga policia me akuzën e trafikimit të fëmijëve. Ajo është vetëm 20 vjeçe dhe ka treguar në gjykatë se është një nga vajzat e trafikuara që në moshën 14-vjeçare. Ka bërë jetë të çrregullt. Pranon se ka punuar në rrugët e Torinos si prostitutë, ndërsa përmend emrat e katër tutorëve të saj, kryesisht nga Saranda. Në polici dhe më pas në gjykatë, vajza e marrë e pandehur për trafikim fëmijësh, ka pranuar të bashkëpunojë për të shpëtuar nga burgu. Ka treguar se trafiku i vajzave të mitura nga Shqipëria për në Itali, nuk ishte i organizuar prej saj, por prej personave që e përdorën atë në rrugët e Italisë. Gjithashtu ka thënë se kur është nisur me dy vajzat nga Berati, ka patur qëllimin e mirë për t'i ndihmuar dhe nuk e dinte se "shokët" e saj kërkonin tjetër gjë. E pandehura ka treguar edhe vuajtjet që i ka shkaktuar puna e prostitutës, si dhe lindja e dy vajzave nga bashkëjetesa me tutorët. Valmira Mahmutaj, në nëntor të vitit 2004 është kthyer nga Italia, ku jetonte prej 6 vitesh pa dokumente. Kthimi nuk ka qenë i rastësishëm. Para gjykatës dhe në prokurori është rrëfyer se tutori i saj i ka kërkuar bashkëpunim për të gjetur vajza të tjera, që mund të punonin si prostituta. Duke bërë këtë punë, Valmira do të shpëtonte nga rrugët dhe do të mund të bëhej e pasur brenda një kohe të shkurtër. E gjetur në këto kushte, Valmira 20-vjeçare pranon të bëjë ndërmjetësen.

"Gjahu" për të miturat e çoi në pranga të trafikuarën

Në nëntor të vitit 2004, Valmira gjendet në qytetin e saj të lindjes, Berat. Është vënë në kërkim të gjetjes së vajzave të përshtatshme për të punuar prostituta. Para gjykatës, e pandehura tregon se një ditë ka shkuar në "pub" dhe aty është njohur me dy vajza gjimnaziste, të moshës 16-vjeçare. Që në fillim qëllon në shenjë. Vajzat ishin me prindër të divorcuar. Në prokurori e pandehura është shprehur se, vajzat i kanë kërkuar ndihmë. "Këtu nuk jetohet, na është bërë jeta ferr. Duam të shkojmë në Itali te nënat tona". Kështu mësohet nga e pandehura të jenë shprehur dy vajzat. Valmirës i vjen keq për gjimnazistet dhe u premton se do t'i ndihmojë të shkojnë në Itali. Mahmutaj pregatit terrenin, ndërsa njofton "shokët" të bëhen gati për të pritur dy të parat. I fton vajzat që pas orës së mësimit të takohen me të. I merr në shtëpi. U jep rroba nga të sajat dhe më pas niset drejt Sarandës. Tregon se për të mbërritur në Sarandë ka ndërruar 5 makina. Aty është pritur nga "shokët", emrat e të cilëve i ka përmendur vetëm para organit të Prokurorisë. Në Sarandë, vajzat kanë kuptuar se nuk ishin në duar të sigurta dhe shumë shpejt do të përfundonin në rrugët e Italisë. Janë mbajtur një natë në një hotel të Sarandës dhe pas kundërshtimeve ato janë kthyer mbrapsht.

Denoncimi i dy gjimnazisteve në policinë e Elbasanit

Dy gjimnazistet, pasi nuk u janë bindur urdhërave të tutorëve, më në fund kanë shpëtuar. Ato janë hipur në një autobus të linjës. Më pas kanë mundur të zbresin në Elbasan, ku kanë bërë edhe denoncimin. Në padinë e vajzave thuhej se Elbasani ishte mundësia e tyre për të bërë kallëzim, pasi kishin disa të afërm që i ndihmuan. Ato dinin vetëm shkurtimin e emrit të Valmirës, (thirrej Vali). Kallëzim kundër të pandehurës është bërë edhe në policinë e Beratit. Nëna e njërës prej vajzave ka konstatuar mungesën e së bijës në shtëpi dhe i është drejtuar policisë. Ndërsa vetë e pandehura para gjykatës ka kundërshtuar akuzën. Ajo është shprehur se nuk do t'i trafikonte vajzat, por do t'i ndihmonte për t'i bashkuar me familjet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›