Hajdutët e makinave prangosen nga policia
29/03/2005 TIRANË- Policia e kryeqytetit vë nën pranga 32-vjeçarin që tentoi t’i vidhte një kasetofon mjetit të tipit “Benz” dhe një tjetër hajdut makinash. Burimet zyrtare të uniformave blu bënë të ditur se, arrestimi i Agim Lepurit, 32 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i padënuar, është kryer nga Komisariati numër 3. Ky shtetas, në bulevardin “Zhan Dark” ka tentuar të vidhte kasetofonin e një automjeti, në pronësi të një shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ndërsa efektivët e të njëjtit komisariat kanë ndaluar shtetasin Luan Elezaj, 22 vjeç, lindur e banues në Kukës, i dënuar më parë për vjedhje automjeti. Ndaj shtetasit të lartpërmendur, Gjykata e Rrethit Tiranë ka vendosur masën e sigurisë me burg, për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, pasi ai është autor i 3 vjedhjeve të tjera automjetesh.