Digjet një banesë, kishin harruar ndezur kaloriferin
29/03/2005 TIRANË- Kaloriferi i ndezur shkakton djegien e të gjitha mobiljeve në katin e tetë të një pallati prapa shkollës “Teknologjike". Flakët e zjarrit kanë përfshirë banesën e Riza Shehut, rreth orës 12.00 të ditës së djeshme, ndërsa zjarrfikëset mësohet të kenë pasur vështirësi në shuarjen e tij, për shkak të rrugicave tepër të ngushta mes bllokut të pallatave. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, për shkak se në momentin kur ra zjarri nuk ndodhej njeri në shtëpi, pasi të gjithë ishin të shpërndarë në punë. Edi, djali i Rizait, u lajmërua në telefon për atë ç’ka kishte ndodhur në shtëpinë e tij. Ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Gjithashtu një nga arsyet e shuarjes me vonesë të zjarrit ka qenë edhe vendndodhja e banesës, e cila ishte në anën e pasme të pallatit. Mes këtyre vështirësive punonjësit e zjarrfikësve u detyruan të lidhnin disa litarë e të ngjiteshin për të çuar zorrën e ujit. Saki Shehi, komandanti i zjarrfikësve tha: "Na lajmëruan në telefon rreth orës 12.00 dhe ne mbërritëm menjëherë në vendngjarje. Vendi ishte tepër i ngushtë. Njëra njësi u mundua të shqyente derën e jashtme, ndërsa tjetra u përpoq të hynte nëpërmjet dritares". Në këtë muaj ky është rasti i dytë i rënies së zjarreve në Tiranë.