E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtari maskohet si polic nga kërcënimet e konkurrentëve

29/03/2005  TIRANË- Frika për të udhëtuar i vetëm e pa përkrahje, e ka detyruar tregtarin nga një fshat i Krujës të mbajë në makinë pistoletë “shotgan”, radiomarrëse e fenelinë të policisë. Por pas një fije dyshimi të postbllokut të Komisariatit numër dy, 25-vjeçari Ismail Halili ka hezituar dhe aty e ka tradhtuar veten. Më pas, ai u prangos nën akuzën e mbajtjes së armëve e të mjeteve të policisë pa leje dhe u dërgua në qelitë e paraburgimit të këtij komisariati. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës thuhet se, "më datë 27.03.2005, nga punonjësit e Komisariatit numër 2 u krye arrestimi i shtetasit Ismail Halili, 25 vjeç, lindur e banues në fshatin Qerek të Krujës, i padënuar. Shtetasit iu bllokua në mjetin e tij një pistoletë e modelit 54, një armë gjahu tip “shotgan”, të cilën e kishte me leje, një radiomarrëse si dhe një fenelinë policie, vepër penale e parashikuar nga neni 287/2 e 447 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë". Ndërkaq, nga burime të Komisariatit numër dy bëhet e ditur se, Halili është një tregtar i fuqishëm, jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, por edhe në qytetin e Krujës. "Aktiviteti i tij është i shumëllojshëm. Përgjithësisht, ai merret me tregti ushqimore, por nuk mungojnë edhe aktivitete të tjera, si ajo e veshmbathjeve dhe pjesëve të makinave. Nga deklarimet e tij kemi konstatuar se kishte marrë disa kërcënime kohët e fundit nga persona që nuk i njihte dhe për këtë fakt ai ishte pajisur me fenelinë e radiomarrëse të policisë", thanë burimet policore. Specialistët e komisariatit janë duke hetuar aktivitetet e tij tregtare, për të mundësuar zbulimin e personave që e kërcënonin, të cilët mendohet se janë konkurrentë të fortë të tij. Nga ana tjetër është duke u verifikuar edhe pika nga ku Halili ka përvetësuar radiomarrësen e fenelinën e policisë, pasi dyshohet se ai ka bashkëpunuar me uniformat blu, të cilët mund të jenë të njohur apo miq të tij. Deri në sqarimin e këtyre fakteve, 25-vjeçari do të vazhdojë të qëndrojë në dhomat e izolimit të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›