Domenek: Asgjë s’ka mbaruar

28/03/2005 Trajneri i përfaqësueses franceze Rajmond Domenek, ka besim se skuadra e tij i ka të hapura shanset për t’u kualifikuar në finalet e Botërorit 2006, pavarësisht nga barazimi pa gola i arritur në shtëpi kundër Zvicrës. “Ne jemi akoma në garë për të siguruar biletën e kualifikimit, ka thënë Domenek. Megjithatë tani ne kemi kuptuar se duhet patjetër të fitojmë në transfertë. Sigurisht ndeshja e ardhshme kundër Zvicrës në Bazel do të jetë tepër vendimtare”. Ky ishte barazimi i tretë arritur nga skuadra franceze në shtëpi për sa i takon Eliminatoreve të Botërorit 2006. Një rezultat i tillë ka ngjitur Francën në kuotën e nëntë pikëve po aq sa edhe Irlanda me Izraelin, kur janë zhvilluar pesë ndeshje deri më tani në Grupin 4. “Në fakt kemi mbetur të zhgënjyer me rezultatin e arritur në këtë takim, sepse kishim krijuar një mori rastesh për të shënuar, ka shtuar Domenek. Ndërkohë Zvicra u afrua vetëm dy herë në portën tonë. Pavarësisht nga rastet e krijuara, ne gabuam pikërisht në momentin kur gjendeshim përpara portës kundërshtare. Do të ishte mirë që të mos e humbasim besimin te vetja vetëm prej këtij barazimi pa gola. Nga ana tjetër situata në Grupin 4 vazhdon të jetë jo shumë në favorin tonë. Skuadrat rivale janë duke marrë pikë dhe jam i sigurtë se lufta për kualifikim do të jetë shumë e fortë deri në fund”.